Veseli: Zgjedhjet e brendshme forcuan PDK-në për ta zhvilluar vendin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se nga zgjedhjet e brendshme, PDK-ja ka dalë edhe më e organizuar, edhe më e fuqishme, edhe më e mirë, dhe si e tillë, Veseli ka thënë se do të jetë mbështetja më e madhe e qytetarëve të Kosovës.
Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në “Facebook”, Veseli ka thënë se PDK-ja do të jetë zëri i Dekadës së Re.
“Faleminderit nga zemra të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së, me të cilët mbrëmë ishim së bashku në Konventën Festive, pas një procesi të mrekullueshëm zgjedhor. Nga këto zgjedhje, PDK ka dalë edhe më e organizuar, edhe më e fuqishme, edhe më e mirë, dhe si e tillë do të jetë mbështetja më e madhe e qytetarëve të vendit tonë. PDK do të jetë forca që mbron lirinë dhe promovon vizionin për shtetin e së drejtës, për shtetin e shanseve të barabarta dhe projekteve të mëdha të zhvillimit. PDK do të jetë zëri i Dekadës së Re”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/