Veseli: PDK-ja do të garojë në zgjedhjet për kryetar të komunave në veri të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka konfirmuar sot se partia që udhëheqë është gati dhe do të kandidojë me kandidatët e saj për kryetarë në katër komunat e veriut të Kosovës.
Veseli ka konfirmuar kandidaturat e PDK-së pas takimit që sot ka pasur në zyrën e tij të partisë me krerët e degëve të PDK-së në Mitrovicën e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.
“Unë e di se keni sfida në pjesën veriore, tani janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat janë shpallur në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ju jeni degët e PDK-së në veri dhe ne do të marrim pjesë në zgjedhje. Jemi partia kryesore me përkrahjen më ta madhe që kemi pasur nga viti 2017 në të gjitha komunat e veriut. Në pjesën veriore të Mitrovicës Gonxhja ka qenë kandidate, do të vazhdojmë edhe tani me besimin e madh që të kemi besimin e qytetarëve qysh e kemi pasur në vitin 2017 dhe ta fitojmë komunë e Mitrovicën veriore. PDK-ja merr pjesë ne katër komunat e pjesës veriore edhe në Mitrovicën veriore me kandidat për kryetar, edhe në Zveçan edhe në Zubin Potok për aq sa edhe në Leposaviq”, ka thënë Veseli.
Ai ka ftuar krerët e degëve të PDK-së në këto komuna që të bëjnë fushatë të denjë, fushatë dinjitoze t’i ofrojnë qytetarët.
“Ne e dimë se ata kanë shumë vështirësi i, ballafaqohen me sfida të cilat nuk janë të lehta, por institucionet e Kosovës dhe PDK do të jetë afër tyre në çdo moment. Nuk do të ndalemi derisa çdo qytetarë i pjesë veriore të rikthehen në shtëpitë e tyre. Do të rindërtohen shtëpitë e djegura të gjitha për aq sa dhe do të kthen njerëzit në banesat e veta. Fitimi i pushtetit lokal në komunat veriore nga PDK do të thotë një shtysë ma shumë që ta ndërtojmë një besim edhe më të madh, të ju tregtojmë edhe bashkëqytetarëve tanë serbë në pjesën veriore se Kosova është e jona e përbashkët, se qeverisja është e përbashkët se do të trajtohen të gjithë në mënyrë të barabartë dhe nuk do të ketë dallime në baza ndëretnike. Bëhuni gati dhe dilni fitimtar”, tha Veseli.
Lideri i PDK-së ka folur edhe për qëndrimet dhe deklaratat e presidentit serb lidhur me komunat e veriut të Kosovës.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Presim fqinjësi të mirë me Serbinë, ndërsa Aleksandër Vuçiq duhet të mendojë për zgjedhjet e veta vetëm në Serbi, kjo është Kosovë. Qytetarët serb të pjesë veriore janë qytetarë të Kosovës të cilët përgjegjësinë më të madhe e kemi ne si institucione të Kosovës dhe si lidership shqiptar”, është shprehur Veseli.
/Epoka e re/