Veseli zyrtarizon propozimin për themelimin e Komisionit hetimor për veteranët e UÇK-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë me dije se ua ka dërguar Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit propozim për themelimin e Komisionit hetimor në lidhje me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Veseli nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka shkruar se mashtruesit që kanë fryrë listat e veteranëve janë duke e lënduar emrin e UÇK-së dhe janë duke abuzuar me paratë e qytetarëve tanë.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se abuzimi me listat e veteranëve do të marrë fund.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është shumë e madhe për të abuzuar dikush me të. Ushtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar që të përfitojnë për vete, por që të fitojë Kosova, që qytetarët e saj ta fitojnë lirinë dhe perspektivën. Mashtruesit që kanë fryrë listat e veteranëve janë duke e lënduar emrin e UÇK-së dhe janë duke abuzuar me paratë e qytetarëve tanë. Kjo do të marrë fund. Siç kam premtuar, ne do ta bëjmë një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit të pushtetit. Prandaj, unë tashmë kam dorëzuar kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do ta hetojë çështjen e listave të fryra të veteranëve dhe që ato të pastrohen. Askush nuk do të jetë mbi ligjin”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/