“Veshja e Miss Kosovës nënkupton virgjërinë e nënshtrimin ndaj vjehrrës”
Miss Kosova, Roksana Ibrahimi, u paraqit në Miss Universe e mbuluar me shaminë e kuqe, e kësaj veshjeje i bashkangjiti edhe veprimin e ‘marrjes së dorës’, një traditë kjo e kohërave më të vjetra dhe me origjinë turke.
Ndërkohë aktivistja Elena Bogëjani, e ftuar në emisionin “Good Morning Albania” në Euronews Albania, u shpreh se ngjyra e kuqe simbolizon pastërtinë, fat, shëndet por dhe virgjërinë e një vajze.
Bogëjani ndër të tjera theksoi se temenaja nënkupton nënshtrimin që nusja ka ndaj vjehrrës, mesazhe të cilat sipas saj iu përcollën dhe botës, të cilat u komentuan shumë negativisht në Kosovë.
“Ngjyra e kuqe, shamia e kuqe simbolizon fat, shëndet dhe virgjërinë. Baba garanton se vajza e tij është e pastër dhe ngjyra e kuqe simbolizon këtë. Shamia për ata është traditë orientale. Temenaja është kur ti i nënshtrohesh vjehrrës. Këto janë simbole të nënshtrimit.
Në Kosovë ka pasur reagime negative që ajo nuk na përfaqëson ne dhe traditën tonë. Ajo ka treguar atë që ka ndodhur në vendin tonë para 30 vitesh”- tha ajo.