Veshja edhe si botëkuptim

16 shtator 2022 | 22:34

Filmi Coco Before Chanel tenton të paraqet jetën reale të ikonës së modës Coco Chanel. Në këtë film rrëfehet jeta e vështirë, rrugëtimi pothuajse i pashpresë i Coco-s drejt majave të modës. Rrëfimi i ngjarjes në film fillon në një jetimore, ku motrat Chanel, Gabrielle dhe Adrienne, janë depozituar nga babai i tyre. Coco si një vajzë e re tregon talentin e saj si rrobaqepëse, duke rregulluar veshjet e murgeshave. Mirëpo, pas jetimores filmi paraqet motrat Chanel si pjesë e një klubi nate, ku këto të dyja argëtojnë të pranishmit. Gabrielle po në këtë kabare do ta marrë nofkën Coco, e që më parë një emër të tillë e kishte bartur një qen.

Chanel duke vëzhguar veshjet e grave se si vishen ato, ajo vëre se ato janë shumë të ngarkuara. Në rrobat e tyre, ajo vëren që përveç që janë shumë të ngarkuar, janë shumë të pakëndshme, shumë absurde; mbase këto veshje të tilla nga gratë me sa duket janë të miratuara së pari nga meshkujt. Për të zhvilluar tërësisht diçka ndryshe Chanel do të mundohet të krijojë një mënyrë veshje të thjeshtë, e cila do të jetë më pak e ngarkuar, por dhe njëkohësisht e lehtë për t’u bartur. “Thjeshtësia është kryesorja për të gjithë elegancën e vërtetë”, thoshte Chanel. Me këtë ajo vendos një stad të ri të të perceptuarit të imazhit të një gruaje. Nëpërmes veshjes përveç që gruan e çliron nga ngarkesa e veshjes së tepërt, ajo insiston ta çlirojë atë edhe nga ngarkesat konvencionale shoqërore. Këtë vendosje të gruas në qendër të vëmendjes nga Chanel, sipas gjuhës së Roland Barthes do të cilësohej si “hapja e t’padukshes”. Vrejtshmëria e një gruaje u bë jo vetëm përmes imazhit të modës, por edhe botëkuptimit të saj në përgjithësi. Sepse tani Chanel modën nuk e shihte vetëm si një trend, por edhe si mendësi, si diçka që shprehte edhe qëndrim.

Pra, filmi paraqet jetën e trazuar të Coco Chanel, dhe ku ajo nëpërmes këtij trazimi kërkon për ta gjetur zanafillën dhe stilin e saj personal. Ajo kërkonte diçka unike, diçka që do të konsiderohej edhe stili i saj në botën e modës. Ajo nuk është në kërkim të diçkaje të përhershme, por është në kërkim të një mode që përherë ndryshon, sepse edhe vetë pohonte se: “Në mënyrë që të jesh e pazëvendësueshme, duhet gjithmonë të jesh ndryshe”. Ky zhbirim në hapësirat që po thuajse të paeksploruara deri më atëherë në fushën e modës, do ta bëjë Chanel që të insistojë më shumë në stilin se sa në modë. Ajo ishte e bindur se ndryshon moda, por qëndron stili.

Përmes veshjes ajo insiston që ta fuqizojë gruan, ta individualizojë atë. Ky ishte edhe revolucionariteti i saj në botën e modës, sepse ajo po krijonte një formë të re të modës si mendësi ku veshja e gruas nuk do të jetë e përcaktuar nga mashkulli apo rrethi social, por do të jetë dëshira e saj e brendshme e shprehur në modë. Kur Coco Chanel thoshte: “Unë nuk e bëj modë, unë jam vetë moda”, ajo vendosmërisht na paralajmëronte se gruaja duhet të ketë vetëbesim, jo vetëbesim vetë në raport me të tjerët, por vetëbesim në raport me vetveten

Filmi Coco Before Chanel, tregon se si një vajzë e rritur në jetimore, e që ka kaluar nëpër një rrugë shumë të mundimshme, por që me vendosshmërinë e pakompromis të saj, me kreativitetin dhe guximin, do të bëhet gruaja më me ndikim në fushën e modës përgjatë shekullit XX. Duke mos i ikur maksimës së vet: ”Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm”, Coco Chanel do të bëhet jo vetëm ikonë e modës, por edhe ikona e një gruaje të guximshme që nuk do të ketë asnjë tundim në shprehjen e kreativitetit dhe vetes së saj.

/Gazeta Express

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pajisje elektronike është vjedhur në vendkalimin kufitar të Bllacës,…