Vështrim i krijimtarisë së Xhevdet Bajrës në Hardh Fest
HARDH FEST 2022/ORË POETIKE PËR POETIN XHEVDET BAJRAJ
Qemajl Krasniqi
Artistët e vërtetë nuk synojnë ta fshehin të vërtetën me interpretime vezulluese, por luftën e bëjnë me fuqinë e fjalës artistike. Ata zgjedhin një metodë më të thjeshtëzuar, duke e lartësuar njeriun, nderin e dinjitetin, krenarinë e lavdinë dhe të gjitha ato vlera që njeriun e bëjnë njeri. Përfytyrimet artistike përbëjnë realitetin shoqëror e historik dhe artisti është i vetëdijshëm se kjo është arma e tij e luftës për një botë më të mirë. Artistët e vërtetë zënë e jetojnë pas ndarjes fizike nga të gjallët, pasi që magjia krijuese e tij zë e shtrihet në eter, aty ku bota imagjinare shfaqet pa kufizime. Këtë magji përcjell tek ne edhe poezia e Xhevdet Bajrajt.
Bajraj nuk pretendoi të bëhet më i madhi i poetëve, por ai synoi të jetë poet i zakonshëm, poet që jeton me njerëz të zakonshëm dhe që krijimtarinë ia dedikon njeriut të zakonshëm. Poetët janë njerëz të zakonshëm, por që rrugëtimin jetësor e kanë të pazakontë. Ata depërtojnë aty ku nuk mund të hyjë imagjinata e njerëzve të rëndomtë dhe kështu bëhen jehonë në kohë, siç u bë poeti ynë i madh Xhevdet Bajraj.
Xhevdeti erdhi të jetojë me familjen në Rahovec si një djalosh i thjeshtë i fshatit Panorc të Malishevës. U bë urë lidhëse ndërmjet jetës së thjeshtë në fshat dhe jetës paksa më urbane në Rahovec. U rrit me ëmbëlsinë e rrushit të Rahovecit, shijoi gotën e parë të rakisë dhe u lidh me dashuri të përjetshme me këtë vend. Këtë bagazh do ta bartë në shpirt e në zemër deri ditën e fundit të jetës së tij fizike. Personazh i poezive të tij ishte njeriu i rëndomtë i Rahovecit, miqtë e fëmijërisë e të rinisë, kolegët dhe qytetarët e rëndomtë të kësaj ane. Edhe kur iku në Meksikë, ku punoi si profesor i poezisë dhe Poezisë së Evropës Qendrore e Lindore, asnjëherë nuk pushoi së shkruari për rrushin e Rahovecit, verën e rakinë. Ai e bëri në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën e tij prej poeti e atdhetari, prandaj ne i jemi mirënjohës e falënderues përjetë.
Xhevdet Bajraj na la pasuri të madhe letrare – artistike. Secila nga përmbledhjet e tij ka të veçantat dhe përbashkëtat; e veçanta është gjuha e pasur dhe figurat e shumta stilistike, ndërsa e përbashkëta është dashuria për tokën, njerëzit dhe lirinë. Kritikët mbase do ta kenë të vështirë të përcaktohen për përmbledhjen e tij më të mirë apo poezinë më të arrirë. Poezitë e tij të lënë pa frymë dhe të shkaktojnë një ndjesi magjike.
Fakti se në poezinë e tij, përveç fjalës artistike, të gdhendur me aq pasion e mjeshtri të rrallë, gjejmë historinë, luftën e rëniet, përpjekjet njerëzore për liri e dinjitet, aty gjejmë të shkrirë në një; socilogun, psikologun, pedagogun, njeriun e parimeve, luftëtarin e të vërtetës e të së drejtës.
Këto cilësi duket se i kanë shërbyer për të krijuar letërsi të madhe dhe ai ia doli me sukses. Kjo krijimtari mund të konsiderohet vlerë universale, sepse e tillë është poezia e bukur – pronë e të gjithëve.
Kritikët e poezisë nuk do të mund të thonë me bindje nëse përmbledhja e tij e parë “Nënë prej guri” (1988) është më e mira apo ndoshta “Mblemë e vdekjes” (1993), mund të ndodh që të jetë më e mirë “Copë e humbur e parajsës”(1996), apo mbase përmbledhja “Liria e tmerrit”(2000). Të lexuarit me vëmendje të poezisë së tij të shkakton mahnitje me universin e tij krijues, sepse aty na del përmbledhja “Kur engjëjt qajnë”(2002) e më pas “Bluz nën qiellin e indianëve” (2003). Ndërsa përmbledhja “Dritë e zezë” (2004) e vë në siklet studiuesin, për të vazhduar me këtë mëdyshje në përmbledhjen tjetër “Shpuplimi i shqiponjës” (2007). Sfida e radhës vjen në përmbledhjen “Copa ime e qiellit” (2015), e për ta vështirësuar më tej përkufizimin tonë, pasohet nga “Lëngu i trëndafilit” (2017). Ka edhe më. “Vitet që nuk e sollën pranverën” (2018) na sjell risi të tjera krijuese, ndërkaq përmbledhja e fundit “Burri që lozte me engjëj” (2021), që e përmbyll këtë cikël të tij krijues, mund të përkufizohet si filozofia e jetës së tij prej humanisti. Dhe tani na vjen edhe përmbledhja më e re “Unaza e Saturnit”.
Disa prej këtyre përmbledhjeve janë përkthyer në gjuhën angleze, spanjolle, daneze, hungareze, polake, serbo-kroate etj.
Çdo poezi e tij ka qartësinë e komunikimit me publikun, çiltërsinë dhe thjeshtësinë..
Është pikërisht poezia e tij që do të jetë lidhja jonë e përhershme me Xhevdetin, poetin tonë të dashur që shkoi në amshim me mallin e pashuar për njerëzit dhe tokën e tij.
Ai konsiderohet vlerë kombëtare dhe Rahoveci mund të duket përmasë e vogël për universin krijues të tij.
Ne do të mund ta shijojmë tërë këtë opus të tij dhe të bindemi me potencialin e tij krijues, sepse Xhevdetin nuk do ta kemi vetëm në mendje dhe në zemra, por edhe në librat e tij në bibliotekat e libraritë anekënd trojeve shqiptare.
Sa më shpesh që i lexojmë poezitë e tij bindemi për nivelin e lartë artistik dhe për thellësinë e ndjenjave që poeti Bajraj i ka shkrirë në vargun e tij. Prandaj, do të jemi më të pasur nëse poezia e Xhevdetit bëhet pjesë e literaturës shkollore dhe si e tillë do të komunikojë më gjerësisht me publikun dhe dashamirësit e fjalës së bukur poetike.