Vetëflijimi me vetëdije, abetare e luftës për liri
Për dëshmorin e lirisë, intelektualin Selim Berisha
Prof. Dr Hakif Bajrami
Koncepti filozofik e historik i domosdoshmërisë së sakrificës sublime për liri. Kur vetëflijohet intelektuali, shembulli i tij gjeneron fuqi të madhe morale gjithë popullorë në luftën për liri
Për ta kuptuar aktin heroik të veprës së Selim Berishës, mendoj se duhet hulumtuar tre faktorë me peshë të madhe në vetëdijen kombëtare të heroit.
Së pari, përkushtimi për ta mbajtur nderin kombëtar në shkallë aktive të zgjuar, me një anë nuk është çështje e rezistencës të dekadave të fundit të robërisë, sepse shqiptarët robëri kishin përjetuar edhe shumë shekuj më parë.
Së dyti, mundësitë e organizimit ushtarak pas vitit 1912 ishin shumë të kufizuara, nën një robëri shumë të egër serbe.
Së treti, dëshira për të luftuar makinerinë vrastare ushtarako-policore serbe, ne përmasa popullore, sidomos të rinia intelektuale shqiptare, në gjysmën e dytë të shekullit XX, ishte shumë e madhe. Ishte kështu sepse fryma e zgjimit politik dhe intelektual ishte kthyer edhe në Kosovë, kuptohet e organizuar dhe drejtuar nga platforma nacionalçlirimtare, që kishte lëshuar shtat muskulor në Shqipërinë Mëmë, në vitet 1939-1944.
Kosova në luftën antifashiste ishte gjatë gjithë kohës në udhëkryq, sepse druhej nga kthimi i së kaluarës por edhe nga ky pozicion, pra nuk këmbëngulte shumë në krijimin e efektivit ofensivë kombëtar, sepse në fakt nuk kishte intelektual të mirëfilltë, nuk kishte vizion të bashkimit sepse mendonte në shkallë naive se “është bashkuar”, sepse nuk e vërente si pjesë vitale të Shqipërisë, kurse okupatori i kishte lënë nën sundimin serb Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Llapin. Madje shumë vise etnike shqiptare kishin mbetur nën sundimin e Bullgarisë kuislinge, sepse politikanët shqiptarë në Kosovë nuk kishin përcaktim objektiv të bashkimit në një Shqipëri të cilën e kërkonin me të drejt Rilindësit, të cilën Shqipëri e deshi dikush, ose nuk e deshi, më në fund e zbuloi me tërë fuqinë ushtria Nacionalçlirimtare dhe Shqipëria, duke i çliruar e duke i njohur fshat për fshat edhe viset e Kosovës.
Në këtë rrafsh shumë intelektualë shqiptarë në Kosovë ishin amortizuar me hyrjen e tyre në aparatin kuisling, edhe pse më së pakut ishin të tillë. Ndërsa të punojnë krah për krah me komunistët sllavë, disi në Kosovë konsiderohej herezi bizare, me orientime të pakuptimta, sepse shqiptari e kishte njohur forcën sllave si ndër më të egrat gjatë robërisë.
Këto disproporcione faktike, të cilat kanë kaluar në historinë e tashme kanë krijuar konceptin se çka do të thotë vetëflijim dhe përcaktim për t’u sakrifikuar për Shqipërinë etnike.
Qëndresa dhe vetëflijimi në nivelin intelektual në Kosovë shndërrohen fuqishëm në shkollë patriotike të pashkëputur, sidomos pas daljes në skenën politike të Adem Demaçit, më 1958. Forcimi i kësaj vetëdije të pathyeshme politike rreth konceptit të lirisë dëshmohet në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Pra bëhet një vetëdije e fortë për të fituar lirinë, secilës i nënshtrohet edhe Selim Berisha si student i ndikuar nga politikani dhe profesori i ditur dhe guximtar, Ukshin Hoti.
Në popull shkolla e vetëflijimit është cilësuar si krenaria më e lartë që mund të arrijë njeriu. Ky koncept i luftës për t’u sakrifikuar i tëri për atdhe në përmasa popullore shqiptare dhe ndërkombëtare e ka mënjanuar konceptin terrorist, siç pretendonte okupatori të kualifikonte luftën tonë të drejt.
Kështu që të shqiptarët po krijohet gjatë shekujve të fundit bindja se vetëflijimi, është shkalla më e lartë e dashurisë për atdheun, në kuptimin etnopsikologjik, sepse po mbrohet pragu i shtëpisë, mbrojtje kjo që nuk është vetëm si akte trimërie, por po shndërrohet edhe në legjendë edukative për mësimin e historisë së jetuar dhe asaj që do të jetohet në shtetin e brezave që do të vijnë.
Koncepti jetësor i Selim Berishës, duke u mbështetur gjithnjë në parime se sa vlente liria e jetuar, mund të kuptohet vetëm me motivin se ia vlen të vdesësh me vetëdije për mbrojtjen e vatrës stërgjyshore, ashtu siç bëri Bajram Curri, ashtu siç veproi Ded Gjo Luli, ashtu siç e ngriti luftën për liri Mihal Grameno me shokë për liri. Në këtë rrafsh doktrina politike gërshetohet me strategjinë ushtarake dhe me ofensivën diplomatike, të cilën në vitin 1941 e deri më 02.12.1945 në shkallë brilante e ndërtoi edhe Enver Hoxha.
Për fat, kjo periudhë në Kosovë është mësuar me një përkushtim teorik dhe praktik, edhe nga gjenerata e Selim Berishës.
Koncepti historik i Selim Berishës (profesor i historisë) për çështjen shqiptare të pazgjidhur që është, nuk është filozofi që lejon hapësirë për lëvizje politike të boshatisura.
Me këtë luftëtari dhe intelektuali Selim Berisha nuk dëshironte të kuptonte historinë e krijuar e cila shoqërohet në jetë me fjalë bombastike. Prej një historie të tillë jemi nevrikosur sidomos në vitet 1990 deri 1998, theksonte në ligjëratat e tije profesori Selim Berisha, gjithnjë duke dëgjuar trumbetimet e një klani politik se “liria” do të arrijë me konferenca ditore dhe premtime. Kur e themi këtë nuk kam për qëllim të kritikoj me fjalë por kemi për qëllim të mësojmë njëherë e mirë se sa i vlefshëm dhe sa i shenjtë është gjaku i dëshmorëve të lirisë.
Kur vetëflijohet intelektuali, shembulli i tij gjeneron fuqi të madhe morale gjithëpopullore në luftën për liri.
Selim Berisha i armatosur me dituri për historinë kombëtare, doktrinën për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen përmes luftës mbrojtëse e nxirrte nga shkolla e jetuar historike e shumë trimave para tij, të cilët kishin dëshmuar se vetëflijimi është guxim dhe edukim, që fitohet duke luftuar e tërë gjenerata për një ideal, që ka gjetur mbështetje kolektive popullore.
Këtë kolektivitet shpirtëror të luftës mbrojtëse, heroi i kombit Selim Berisha më 20 mars 1999 në Drenofc të Prishtinës e stërgjyshonte duke i nxjerrë rrudhat nga balli dhe plumbat nga gryka e pushkës.
Me zjarrin e plumbave, Selim Berisha donte të tregoj se kështu gatuhet buka më e mirë, ushqimi më i këndshëm për shpirtin kombëtar aq të etshëm për liri dhe për largimin e okupatorit nga tokat stërgjyshore.
Me përplasjen e këtillë në histori, të rrudhave të ballit me plumbat e pushkës, në të njëjtin front pushka e Selim Berishës argumentohet fuqishëm se motivi i luftës mbrojtëse nuk është përkushtimi i rastit, por është vetëdija e përkushtuar që mbetet testament kombëtar se si mbrohet nderi, familja dhe fama e luftës kombëtare.
Ky flijim atdhetar e heroik për Selim Berishën, e kishte kuptimin edhe të një çast i papërsëritshëm historik. E themi historik, sepse Selimi e dinte mirë historinë e luftëtarëve të Dem Ahmetit, Murat Xhakës, Shaqir Igrishtës, Çerqiz Topullit, Azem Bejtës, e Avni Rrusemit, Bajram Currit e Shtjefën Gjeçovit, Hasan Prishtinës e Qemail Stafës, Emin Durakut e Shaban Polluzhës, Tahir Mehës e Zahir Pajazitit, Adem Jasharit legjendar e shumë legjendave të tjera kombëtare.
Nga të gjitha këto Selim Berisha si historian ka mësuar shumë, por lufta e Selim Berishës dëshmon se ka luftuar edhe si intelektual i denjët prej arsimtari e patrioti, i cili edhe me gjakun e tij, me vetëdije e stolisi dheun e Kosovës, historinë e saj, sepse i dinte të gjitha plagët se si shërohen. Ky shembull jo vetëm të nxënësit e Selimit, por edhe në zemrat e çdo atdhetari të devotshëm në të gjitha viset e Shqipërisë etnike do të mbetet shkollë krenarie.
Historia shqiptare këtu e ka një ekzemplar të ri të flijimit intelektual, me vetëdije të lartë politike, me vetëdijen e thellë se liria ka çmimin e shtrenjtë, pra ka edhe kërkesa shumë të larta për t’u ruajtur.
Liridashësit në tërë rruzullin tokësor, pothuajse janë të njëjtë: ata dihet se kërkojnë të shkruajnë kohen e lindjes së lirisë.
Pikërisht për këtë patriot të vërtetë, shumë çështje që kanë të bëjnë me ngritjen e tyre shkollore, detyrat e sistematizojnë drejt dhe çdo çështje e vënë atje ku duhet për t’i dhuruar kolektivitetit, popullit lajmin e fitores, për të fituar më tepër kombi i tyre për të fituar liria universale si koncept e si filozofi për të gjithë popujt njësoj, të ndihen barabartë të gjitha racat, ta gjejnë prehjen në liri.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli nga kjo shkollë, pikërisht nga shkolla e kombit e njohur për sakrificën personale dhe familjare. E pra të dashur prind, të dashur bashkatdhetarë e bashkëluftëtar të Selim Berishës, i dashur popull, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e bëri luftën për ta mbrojtur vatrën e nderit shqiptar, shtëpinë e lindjes, djepin e fëmijës, lotët e plakut, uratat e nënës, shkollën e Kastriotit, flamurin e kombit.
Nuk ka asnjë arsye, që nëse e kërkon kombi, aty edhe të bëjmë vdekjen, sepse edhe ajo mbetet proces i jetës, për të jetuar të tjerët më mirë dhe më të gëzuar.
Vetëm kështu, duke bërë luftë mbrojtëse, duke përkujtuar heroizmin e Selim Berishës me shokë, do të nderojmë me të sigurt se kurrë më parë konceptin e lirisë, njëherë të shtrojmë detyra që të mësojmë sa më shumë, sepse vetëm me dituri do të begatojmë konceptimin e çlirimit, do të realizojmë konceptin e ndërtimit të shtetit ligjor dhe bashkimit kombëtar.