Vetëm 1% e ujit në tokë është i pijshëm
Sot, 22 mars 2018 është një nga ditët më të rëndësishme të mjedisit dhe burimeve natyrore, Dita Botërore e Ujit.
Uji, siç e dijmë të gjithë ne, është shumë i rëndësishëm për shëndetin e njeriut dhe për jetën vet. Uji është pa alternativë.
Se çfarë vlere dhe simbolike ka këtë, çdoherë më së miri e ka treguar shënimi i Ditës Botërore të Ujit.
Në këtë ditë tejet të veçantë, duke e racionalizuar ujin, duke e kursyer dhe duke u kujdesur për secilën pikë, do ta kemi të gjithë, dhe atë në cilësi dhe sasi të mjaftueshme.
Uji është pasuria më e madhe e shtetit tonë dhe e kemi obligim ta ruajmë pikë për pikë.
Që nga viti 1992, kohë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 22 marsin si Ditën Botërore të Ujit, me qëllim që në shumë vende të botës të tërhiqet vëmendja, të informohet konsumatori, të ndërgjegjësohet opinioni i gjerë publik për mbrojtjen, ruajtjen dhe gjithsesi përdorimin racional të burimeve ujore.
Sipas statistikave botërore vetëm 3% e ujit është i freskët, ndërsa 97% ndodhet në dete dhe oqeane, dhe vetëm 1% e ujit që ndodhet në tokë është i pijshëm.
OKB-ja çdoherë bën thirrje për përmirësimin e menaxhimit të krizës, shkaktare të së cilës janë kryesisht ndryshimet klimatike dhe shtimi me ritme të shpejta i popullsisë që shoqërohet dhe me shtimin e kërkesës për energji.
Teksa një qytetar evropian konsumon mesatarisht nga 200-250 litra ujë, një në Afrikën Sub-Sahariane, mezi harxhon 20 litra.
“Kjo ditë e rëndësishme, qytetarët e Prishtinës dhe komunave të tjera që menaxhohen nga KRU “Prishtina” sh.a. i zë në një situatë mjaft të mirë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm dhe mjaft cilësore”, shprehet Arieta Mjeku Azizi, zëdhënëse, duke shtuar se e kemi obligim kursimin e tij për të ardhmen e fëmijëve tanë.
“Qytetarë të nderuar, kemi bërë çmos që në krojet tuaja t’u ofrojmë ujë të pijshëm dhe cilësor, andaj në këtë ditë të madhe për ne, për ju dhe për shtetin tonë, po u drejtohemi duke kërkuar nga ju, që ujin e pijshëm ta kursejmë, ta shpenzojmë sa më racionalisht dhe të paguajmë për të”, ka thënë ajo.