Vetëm 12.7 për qind e femrave të punësuara, kërkohet përkrahje nga qeveria
Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e katërt (TM4) 2018, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 31.4 për qind, ndërsa punësimi më i lartë është te meshkujt (45.2 për qind), kurse punësimi te femrat është 12.7 për qind. Ndonëse sipas nenit 7 të Projektligjit për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror, specifikohet se “Tre muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim prej shtatëdhjetë përlindësh (70 për qind) të pagës bazë, në gjashtë (6) muajt në vijim pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej pesëdhjetë përqindësh (50 për qind) të pagës mesatare në Kosovë. Gruaja e punësuar ka të drejtë, sipas këtij ligji, që ta zgjasë pushimin e lehonisë edhe për tre (3) muaj të tjerë pa pagesë”.
Ky nen është kundërshtuar nga kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi.
Ai ka thënë se ky projektligj është kundër femrës dhe ka kërkuar që, sikurse në vendet e rajonit, pushimin e lehonisë ta paguajë në tërësi qeveria.
Krasniqi ka deklaruar se është alarmante shkalla e papunësisë së femrave, duke kërkuar që shteti i Kosovës të jetë syhapur në këtë drejtim. Ai ka thënë se arsyeja kryesore është gjendja jo e mirë financiare e sektorit privat dhe mospasja mundësi për pagesën e pushimit të lehonisë që, sipas tij, ndikon që femrat të jenë të privuar nga puna.
“Arsyeja kryesore e papunësisë së femrave është gjendja jo e mirë që shteti është duke e praktikuar ndaj institucioneve private. Në të gjitha shtetet e rajonit shteti merr përsipër pushimin e lehonisë me 100 për qind deri në 12 muaj të pagës, ndërsa në Kosovë gjashtë muaj e detyron biznesin për të paguar 70 për qind të pagës, kurse tre muaj e paguan 50 për qind të pagës mesatare të Kosovës. Realisht kjo e dënon femrën. Propozimi i ri i Ministrisë së Punës është që tre muaj 70 për qind të pagës ta paguajë biznesi, ndërsa gjashtë muaj 50 për qind të pagës mesatare prapë shteti. Kjo sërish është kundër femrës. Të marrësh pagë 200 euro është e paarritshme për të mbijetuar. OAK-u ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj dhe ministri Reçica, por edhe nga i gjithë parlamenti, që ta marrin përsipër këtë për faktin se nuk është barrë e rëndë shumë për shtetin”, ka thënë Krasniqi, duke theksuar se udhëheqësit nuk e kanë problem për t’ia rritur pagat vetes, por kur është në pyetje kjo çështje që afekton në rritje të punësimit dhe përkrahje të biznesit, çdoherë po llogaritet buxheti, duke potencuar “se nuk kanë buxhet”.
“Ku po e marrin buxhetin që po ia rrisin pagat vetes. Le ta lënë luksin dhe të mendojnë për të mirën e qytetarëve. Prej 600 mijë femrave që janë në moshë pune, sipas ASK-së, vetëm 12.7 për qind janë të punësuar dhe 87.3 për qind e tyre janë të papuna. Mos të harrojmë se Kosova ka rënie drastike të lindjeve”, ka thënë Krasniqi.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se, ndonëse prej vitesh diskutohet kjo problematikë, ende nuk kanë arritur në një zgjidhje adekuate. Ajo shpreson se me shkuarjen e draftligjit për lehonitë në Kuvendin e Kosovës do t’i japin zgjidhje kësaj çështje.
“Prej vitesh diskutohet çështja e papunësisë së femrave, kjo është shqetësuese për të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos për ne si gra deputete. Unë si kryetare e Grupit të Grave Deputete gjithherë kam qenë në tryezat që janë mbajtur për këtë temë ku janë paraqitur raportet e mbledhura për përqindjen e grave të papuna. Mirëpo në qoftë se u referohemi kualifikimeve, shumë më shumë dalin se vajzat dhe gratë janë të kualifikuara”, ka thënë Mjaku-Topalli, duke shtuar se është kërkuar që të plotësohet dhe të ndryshohet Ligji i lehonisë.
“Ashtu sa kam informatë unë, në Ligjin e Punës nuk figuron pushimi i lehonisë dhe është duke u hartuar një draft-koncept i veçantë për Ligjin e lehonisë, i cili në muajin qershor do të jetë në Kuvend”, ka thënë Mjaku-Topalli.
Ajo ka thënë se duhet t’u krijohen kushte të barabarta grave, si atyre në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat. “Gjithashtu, kemi informata nga shoqëria civile se femrat që gjatë marrjes në pyetje për aplikim në një vend pune ka pasur edhe diskriminim, pasi janë pyetur për statusin e tyre. Meqë është barrë për kompanitë dhe institucionet private që t’i paguajnë dy paga për një të punësuar, atëherë është menduar të propozohet Ligji i lehonisë, që ai të plotësohet dhe ndryshohet në mënyrë që mos të diskriminohen femrat”, u shpreh ajo.
Ndërkaq sa i përket shifrës së Ministrisë së Administratës Publike, se 92 për qind e posteve të lartë në institucionet publike i udhëheq gjinia mashkullore, Mjaku-Topalli është përgjigjur: “Ne si gra deputete jemi bërë bashkë me shoqërinë civile dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Kur dalim jashtë vendeve, u referohemi ligjeve që i kemi, por që në realitet ligjet po hasin në moszbatim. Jemi duke punuar që kodi zgjedhor të ndryshohet dhe të jetë në harmonizim me barazinë. Kjo është padrejtësi që po i bëhet femrës, pasi çdoherë thuhet se ‘kemi për të vendosur në këtë pozitë grua’. Po shpresoj se do të shënojmë hapa pozitivë në këtë drejtim”, ka deklaruar Mjaku-Topalli.
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, anëtare e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se përderisa në gjeneratat e kaluara 80 për qind nga që kanë studiuar ishin burra dhe vetëm 20 për qind gra, kjo edhe është arsyeja që jep një minus sa i përket shkallës së punësimit te femrat. “Sigurisht se bizneset private hezitojnë t’i marrin gratë në punë, pasi në momentin që ajo del në pushimin e lehonisë, bizneset janë të detyruara, sipas ligjeve në fuqi, të paguajnë për pushimin e lehonisë dhe kjo i kushton plus një punëtor që ta zëvendësojë pushimin e lehonisë. Këto janë dy arsyet pse na japin këtë normë të papunësisë te femrat në Kosovë”, ka thënë Balaj-Halimaj.
Ajo ka theksuar se çdo iniciativë që ka të bëjë me pushimin e lehonisë dhe gratë do ta mbështesë. “Ministri Reçica ka filluar të punojë për një projektligj që lehonat e papuna të paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës. Shumë kjo që do të jetë simbolike prej 100 eurosh në muaj dhe, po ashtu, do të paguhen edhe ato që nuk punojnë për gjashtë muaj. Çdo iniciativë që ka të bëjë me gratë dhe pushimin e lehonisë unë jam e gatshme ta mbështes me çdo forcë që kam”, është shprehur deputetja Balaj-Halimaj.
Bunjaku përmend faktorët që po ndikojnë në dekurajimin e femrave për tregun e punës
Drejtoresha në Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKCAK), njëherësh anëtare e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Ardiana Bunjaku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mentaliteti patriarkal, infrastruktura e pafavorshme për pushimin e lehonisë dhe niveli i arsimimit për gjeneratat e kaluara, janë faktorë të pozitës disfavorizuese për femrat në tregun e punës.
“E para dhe më e rëndësishmja është fakti se ne ende jetojmë në një shoqëri patriarkale në të cilën përgjegjësitë për familjen, kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve e kanë gratë. Pastaj një faktor tjetër janë ligjet të cilat janë përpjekur t’i mbrojnë gratë, por kanë arritur një efekt të kundërt. Shembull, pushimi i lehonisë është më i gjatë në Kosovë në krahasim me vendet e tjera dhe kostoja financiare për ta mbuluar këtë pushim kryesisht mbulohet nga punëdhënësit, gjë që dekurajon punësimin e grave në kompanitë private”, ka thënë Bunjaku, duke shtuar se faktori tjetër ka të bëjë me nivelin e arsimit të grave, përjashtuar gjeneratat e reja. “Gratë në Kosovë janë më pak të arsimuara, duke përjashtuar gjeneratat e reja.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, 50 për qind e grave në moshë punësimi kanë arsimim të mesëm ose të ulët krahasuar me burrat që janë vetëm 27 për qind. Gjithashtu, gratë kanë gjasë më të vogël të kyçen ose rikthehen në punë pas pushimit të lehonisë për shkak të humbjes së hapit me aftësitë dhe përvojën e punës”, u shpreh ajo.
Sa i përket të dhënave të Ministrisë së Administratës Publike, se 92 për qind e posteve të larta në institucionet publike i udhëheq gjinia mashkullore, Bunjaku ka deklaruar se, edhe pse jo të gjitha çështjet duhet t’u atribuohen ligjeve, duhet pasur inkurajim për vendimmarrjen e grave. “Edhe pse mendoj se jo të gjitha çështjet mund të rregullohen me ligje, në rastin e punësimit të grave në institucionet publike, në mënyrë që të ndërrohet kultura se vetëm burrat dinë të bëjnë punët si duhet, të ketë ligje që i vendosin gratë në pozitë të barabartë me burrat. Do të thotë, nëse aplikuesi i plotëson të gjitha kriteret si nga aspekti i arsimimit, përvojës etj, të favorizohet gjinia femërore. Dua të theksoj se inkurajimi i femrës jo vetëm për punësim, por në të gjitha aspektet e jetës duhet të fillojë nga familja si dhe shoqëria në përgjithësi, veçanërisht nga guximi i saj për të arritur atë që synon”, ka deklaruar Bunjaku.
(Albulena S. MAVRAJ)