Vetëm 20 për qind e grave janë të punësuara në Kosovë
Vetëm 20 për qind e grave janë të punësuara në tregun e punës në vend. Por në sektorët specifik papunësia ka karakter strukturor, ku oferta nuk i përgjigjet kërkesë.
Kështu është thënë në tryezë me temën “Punësimi i rinisë dhe grave: Qasja dhe vështirësitë në tregun e punës”, e cila është organizuar nga Fondacioni “Jahjaga”.
Florie Xhemajli menaxhere e projektit “Rrugëtimi drejt punësimit”, ka thënë se në Kosovë ka mungesë të vendeve të punës mirëpo edhe ato vende që janë sipas saj, nuk plotësojnë kushtet ligjore.
“Në Kosovë është problemi i qasjes në vendin e punës, mungesa e vendeve të punës. Ne kemi probleme edhe në vendet e punës, ku nuk kemi siguri, orare të tejzgjatura, mungesa të kontratave. Në sistemin arsimor në Kosovë për një kohë të gjatë janë prodhuar kuadro pa asistencë dhe që nuk përkojnë me tregun e punës”, ka thënë Xhemajli.
Ndërsa Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, ka bërë me dije se vetëm 20 për qind e grave janë të punësuara në Kosovë dhe sipas tij, një shifër e tillë është e domosdoshme të lëvizet.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se Kosova ka shënuar raport negativ në tërheqjen e investitorëve të huaj.
/Epoka e re/