Vetëm 4.7 për qind e serbëve në veri i besojnë Policisë së Kosovës
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike?”.
Ky raport përmbledh gjendjen ekzistuese në lidhje me qëndrimin e komunitetit serb të Kosovës kundrejt PK-së në komunat me shumicë serbe, duke u fokusuar në katër komunat veriore të Kosovës.
Raporti mbulon kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve kryesore, dhe e paraqet perceptimin publik kundrejt PK-së si rezultat të tensioneve politike në veri dhe gjendjes së përgjithshme të frikës në mesin e popullatës.
Përveç kësaj, raporti analizon shqetësimet kryesore të sigurisë të komunitetit serb të Kosovës, si dhe ofron disa rekomandime për adresimin e shqetësimeve dhe sfidave të tilla nga këndvështrimi i komunitetit.
Ky raport mbështetet në hulumtimet e gjëra të ekipit të QKSS-së në veri të Kosovës dhe në komuna kyçe me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës.
Sipas këtij raporti, komuniteti serb i Kosovës që jeton në jug të lumit Ibër, filloi ta mbështesë konceptin e policimit nga këndvështrimi i komunitetit dhe si një instrument i shërbimit publik. Ndërsa në veri, deri në shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, mbizotëronte trashëgimia e sistemit të mëparshëm të policimit të bazuar në militarizim dhe interesat e shtetit serb.
“Kjo ka sjellë perceptime të përziera ndaj PK-së në katër komunat veriore. Edhe pse shumë prej anëtarëve serb të PK-së vijnë nga ish MUP-i i Serbisë, ngurrimi kundrejt PK-së shpërfaqet jo vetëm për shkak të simbolikës që lidhet me uniformën e PK-së, por edhe për shkak të nivelit të kompetencës dhe besnikërinë ndaj interesit të komunitetit. Kjo ide është shprehur nga politikani i njohur serb në pjesë veriore të Kosovës, z. Oliver Ivanoviq, i cili kishte thënë se të njëjtët persona, të cilët vepronin me kompetencë në MUP-in e Serbisë, nuk po veprojnë në të njëjtin nivel nën uniformën e Kosovës”, thuhet në raportin e QKSS-së.
Për shumicën dërmuese të qytetarëve, Policia e Kosovës (PK) perceptohet si një nga institucionet më të besueshme në Kosovë. Nga ana tjetër, komuniteti serb i Kosovës vazhdon të ketë perceptime negative ndaj policisë, me vetëm 4.7 për qind prej tyre që kanë besim te Policia e Kosovës.
Për më tepër, 54.1 për qind e të anketuarve serbë pohojnë se oficerët e policisë nga stacioni më i afërt
policor janë të korruptuar.
Komuniteti serb i Kosovës është gjithashtu skeptik në lidhje me integritetin e PK-së.
Drejtoria rajonale i PK-së në Mitrovicën e Veriut ka 125 oficerë policie, prej të cilëve 13 janë gra; stacioni policor i PK-së në Zubin Potok ka 61 oficerë policie, prej të cilëve 5 janë gra; stacioni policor i PK-së në Leposaviq ka 99 oficerë policie, prej të cilëve 14 janë gra; stacioni policor i PK-së në Zveçan ka 60 oficerë policie, prej të cilëve 5 janë gra; stacioni policor i PK-së në Graçanicë ka 42 oficerë policie, prej të cilëve 5 janë gra; stacioni policor i PK-së në Shtërpcë ka 61 oficerë policie, prej të cilëve 7 janë gra.
/Epoka e re/