Vetëm 5 subjekte politike kanë aplikuar në KQZ me kandidatë për deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më sot ka pranuar aplikime vetëm nga 5 subjekte politike, prej tyre 4 parti politike dhe 1 iniciativa qytetare, raporton Ekonomia Online.
“Deri më tani (10 dhjetor) kemi pranuar aplikimet nga 5 subjekte politike, prej tyre 4 parti politike dhe 1 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 122 kandidatë. Subjektet politike që kanë paraqitur aplikimin e tyre janë: 1.Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – 35 kandidatë; 2.Jednstvena Goranska Partija (JGP) – 29 kandidatë; 3.Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI) – 35 kandidatë; 4.Srpska Demokratija (SD) – 13 kandidatë; dhe 5.Narodna Pravda – 10 kandidatë”, thuhet në njoftim.
KQZ ka njoftuar se afati i fundit për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të paraqitur kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025 është 11 dhjetor 2024, ora 16:00.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, njoftohet se subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë.