Vetëm humbja e papranueshme për Kosovën kundër Rusisë

06 mars 2020 | 10:56

Futbollistet “dardane” kanë mbajtur edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes kualifikuese kundër Rusisë e cila zhvillohet sonte (e premte) në Wiesbaden të Gjermanisë. “Synimi ynë është për një paraqitje sa më të mirë dhe për rezultat pozitiv, por jemi të vetëdijshme për cilësitë e kundërshtareve”, ka thënë Afërdita Fazlija, përzgjedhëse e Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave sonte (e premte) nga ora 18:00 e zhvillon ndeshjen kualifikuese për “Euro 2021” kundër Rusisë në Gjermani. Vendimin për t’u zhvilluar ndeshja në shtetin gjerman e ka marrë UEFA, pasi Rusia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, ka thënë se në këtë ndeshje synohet rezultat pozitiv. “Synimin ynë është për një paraqitje sa më të mirë dhe për rezultat pozitiv, por jemi të vetëdijshme për cilësitë e kundërshtareve”, ka thënë Fazlija.

Përfaqësuesen në Wiesbaden e kanë vizituar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, kryetari Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri, anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe trajneri i Përfaqësueses A, Muharrem Sahiti. “Tashmë ju e keni krijuar një grup homogjen dhe jeni të vetëdijshme për rëndësinë që e ka fanella e përfaqësueses. Në ndeshjet e deritashme keni dëshmuar se sa me krenari e bartni këtë fanellë, andaj ne presim nga ju që të lini përshtypje sa më të mira edhe në vazhdim të këtij kompeticioni”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi. “Ju inkurajoj të luani lirshëm e pa presion, pa marrë parasysh forcën e kundërshtarit që do të keni përballë. Duhet ta ruani qetësinë dhe të luftoni maksimalisht për rezultate sa më të mira. Nuk kërkojmë nga ju që të jeni liderë të grupit, por duam ta vazhdoni ngritjen jo vetëm nga ana organizative, por edhe nga ana profesionale. Kam besim te puna e shtabit teknik e përfaqësueses dhe e vlerësoj shumë përkushtimin dhe kualitetin e juaj si futbolliste, andaj besoj se të premten do të kemi një paraqitje të mirë”, ka deklaruar Ademi.

Ndërsa futbollistet Edona Kryeziu dhe Valentina Limani kanë shfaqur optimizëm se Kosova mund të marrë rezultat pozitiv ndaj Rusisë. “Mendoj se do të jetë një lojë shumë e vështirë ngaqë të dyja ekipet synojnë fitoren. Nuk e njohim shumë kundërshtarin, por në bazë të asaj çfarë kemi parë, shihet se ka cilësi”, ka thënë Limani. “Ne i njohim cilësitë e kundërshtarit, por asnjëherë nuk do ta respektojmë më shumë sesa duhet. Jemi shumë të motivuara dhe do ta japim maksimumin që të marrim pikë nga ky takim. Pres që në këtë përballje të vështirë me ruset ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve – bashkatdhetarëve tanë në Gjermani”, ka deklaruar Kryeziu.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, kryetari i Komunës…