“Vetëm me vetminë”, poezi e fatit të rëndë
Poezi e fatit të rëndë, e fatkeqësive që nuk marrin fund, e së djeshmes së dhimbshme dhe e së sotmes së pashpresë. Shkurt, poezi e dëshpërimit. Kjo është poezia e Bedri Zyberajt. Subjekti i saj jeton në një kohë në të cilën marrëzia e jetës e ka pushkën plot, ndërsa subjekti lirik është duarthatë. Ky subjekt, tani, përsiat duke qenë vetë në hapësirat e zhgënjimit, të cilat janë të pakufishme. Pothuaj përherë brenda thënies poetike të këtij poeti zë vend ironia, e cila në raste të rralla ngrihet në shkallën e sarkazmit. Zhgënjimi është fjala më e shpeshtë në poezinë e këtij poeti. Subjekt lirik i poezisë së Bedri Zyberajt është njeriu i cili gjatë gjithë jetës është vënë para sfidave nga më të ndryshmet, sfida që kanë rrezikuar rëndë thelbin e të qenit njeri. Shkurt, njeriu i poezisë së tij është vetë jeta që lufton me antijetën, në një ndeshje të pabarabartë.
Dr. Sali Bytyçi, kritik