VETËM MENDJET E ÇORODITURA PRODHOJNË KONFLIKT ME REALITETIN: KOSOVA SI RAST

23 tetor 2023 | 21:12

Milazim KRASNIQI

1. Kosova është e proklamuar si shtet multientik dhe ka mbikëqyrje civile e ushtarake të huaj. Prandaj me statusin e saj specifik që e ka, nuk mund të funksionojë si shtet mirëfilli kombëtar, përkundër ideve dhe ndjenjave tona kombëtare. Por, kjo gjendje duale nuk ka pse e bën Kosovën më pak të dashur për shqiptarët e saj dhe për shqiptarët në përgjithësi. Kosova si shoqëri është dhe do të mbetet shqiptare, por si shtet me obligime ndërkombëtare ndaj pakicave, veçmas ndaj pakicës serbe. Ky realitet nuk ndryshon nëse ne e imagjinojmë një realitet tjetër. Ky realitet mund të ndryshojnë nëse ne arrijmë ta bëjmë Kosovën një shtet të suksesshëm, të integruar në NATO dhe në BE, ku pastaj edhe funksionalisht bëhet pjesë përbërëse e botës shqiptare-atlantike.
2. Marrëveshja Ushtarake-Teknike e firmosur ndërmjet NATO- dhe RFJ-së ka larguar të gjitha forcat serbe nga territori i Kosovës. Deri sa të jetë në fuqi ajo marrëveshje, forcat serbe nuk mund të kthehen në Kosovë. Logjikisht, ajo marrëveshje mund të rishikohet, vetëm pasi të jetë arritur një marrëveshjeje përfundimtare politike e mishëruar edhe në një rezolutë të re të KS të OKB-së. Nëse Marrëveshja Ushtarake-Teknike do të suspendohej njëanshëm nga NATO, gjendja e luftës në Kosovë do të rikthehej në atë çast. Rjedhimisht, politika shtetërore në Kosovë, duhet ta ketë gjithmonë para sysh partneritetin strategjik me NATO-n e veçmas me SHBA-në. Ndryshimi eventual anti atlantik i politikës shtetërore në Kosovë, mund të ketë pasoja fatale.
3. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit ka legjitimuar prezencën ushtarake e civile ndërkombëtare në Kosovë. Deri sa të jetë në fuqi kjo rezolutë, prezenca civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë është e pashmangshme, me të gjitha konsekuencat që kjo nënkupton. Pra edhe ato negative. Por ky është realiteti. Asnjë politikë shtetërore normale nuk duhet të krijojë disponim anti OKB në Kosovë.
4. Bashkimi Evropian është i mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s për ta ndërmjetësuar dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë. Gjasat janë se deri sa të arrihet një marrëveshje përfundimtare, mandati i Bashkimit Evropian do të mbetet në fuqi. Prandaj në çdo rast, fushatat kundër zyrtarëve të Bashkimit Evropian, janë në dëm të Kosovës.
5. Opinioni i Gjykatës së Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës, është i favorshëm, por nuk është obligativ. Si i tillë duhet të afirmohet sa më shumë, por të mos mbahemi pas tij si pianeci për gardhi.
6. Plani i Përgjithshëm i Marti Ahtisarit nuk është miratuar nga Këshilli i Sigurimit, prandaj nuk prodhon obligime për shtete që nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës. Duhet të kërkohen rrugë të tjera për të ndryshuar qëndrimin e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, veçmas atyre të Bashkimit Evropian.
7. Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 është në themel të pavarësisë dhe duhet të mbetet e tillë në çdo rast. Por, duke u begatuar me shndërrimin e Kosovës, nga brenda, në shtet të suksesshëm.
8. Meqë kjo kornizë nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme nga qeveritë e Kosovës, duhet të hartohen politika qeevritare e shtetërore realiste e kurrsesi konforntuese me faktorët që kanë mandat legal në Kosovë (NATO, OKB, BE.) Politikat realiste kërkojnë koncensus të brendshëm politik e shoqëror, e jo harxhim të energjive në luftëra të brendshme politike e shoqërore, siç ka ndodhë në dy deceniet e kaluara. Harxhimi i energjive në luftëra të brendshme i konvenon Serbisë dhe aleatëve të saj, që duan ta paraqesin Kosovës si shtet të dështuar dhe ta rifusin në ndonjë proces tjetër të ridefinimit të statusit. Konfrotimet e brendshme, ndër të tjera, e kanë faktorizuar Listën Serbe, deri në pikën sa u shndërrua në agjent haptazi antishtetëror.
9. Kosova duhet të kërkojë një aranzhman separat me NATO-n, ndoshta në versionin që e ka Islanda me NATO-n, pa e cënuar mandaitn e KFOR-it, po vetëm si aranzhman komplementar.
10. Qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijësohen se jetojnë një një shtet i cili në konstelacionin e tashëm gjeopolitik e gjeostrategjik e ka të pamundur të anëtarësohet në OKB. Ata duhet të investojnë në suksesin e këtij shteti, e jo ta minojnë e as të ikin nga sytë këmbët, sepse në atë rast dështimi i Kosovës bëhet më potencial.
11. Gjatë këtyre viteve të prezencës ndërkombëtare, nën presionin neokolonialist dhe islamofobik, Kosova kulturalisht është deshqiptarizuar dhe deislamizuar në masë të rrezikshme. Shoqëria shqiptare në Kosovë duhet të rikthehet në ekuilibrat e vet kombëtarë e fetarë. Me eksperimente neokolonialiste, nuk bëhet shoqëri funksionale dhe konkuruese. Në fakt, nëse kjo shoqëri deshqiptarizohet dhe deislamizohet edhe më shumë, pashmangshëm do të rikthehej në një proces të ri të ridefinimit të identiettit të saj, ku karta kryesore do të ishte riserbizimi i saj. Vetëm mendjet e çoroditura nuk e kanë para sysh faktin që narrativa ortodokse serbe mbi Kosovën është gjithnjë aktive dhe shumë virulente. (23 tetor 2023)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Ragip Jashari ka dalur me një…