Vetëm në janar, mbi 4 milionë euro humbje të rrymës në veri
Mjete të tjera duhet të ndajnë institucionet e Kosovës për mbulimin e shpenzimit të rrymës në veri të vendit. Pas milionave të ndara vitin e kaluar, shifra të larta kanë arritur faturat e shpenzimit të energjisë elektrike nga katër komunat veriore. Opozita ka hedhur kritika ndaj ekzekutivit, që ende nuk ka gjetur zgjidhje për fillimin e pagesës së faturave nga ana e qytetarëve serbë.
Vetëm për muajin janar të këtij viti, 4.5 milion euro llogaritet të jenë humbjet nga konsumimi i energjisë për pjesën veriore të vendit.
Ndërkaq, buxhetit të shtetit pagesa e energjisë elektrike, gjatë vitit 2022, i ka kushtuar mbi 60 milionë euro.
Ani pse më 21 qershor të vitit të kaluar, Kosova e Serbia kishin nënshkruar marrëveshjen e energjisë, përmes së cilës parashihej se faturimin e qytetarëve të veriut do ta bënte kompania Elektrosever, një gjë e tillë akoma s’ka gjetur zbatim.
“Vlera e humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës vetëm për periudhën janar 2023, llogaritet të jetë afër €4.5milion. Obligimet financiare të KOSTT për humbjet e shkaktuara në pjesën veriore të vendit për muajt janar- dhjetor 2022 ishin rreth €63.2 milion. Në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.”, tha KOSTT.
Për situatën e energjisë që po vazhdon në pjesën veriore të vendit, kritika kanë hedhur partitë opozitare.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se Strategjia e Energjisë e prezantuar nga Qeveria e Kosovës nuk është duke dhënë rezultate dhe se sipas tij, një dokument i tillë ka shumë mangësi.
Kurse, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi pret që tarifat e rrymës për Kosovën të rriten, derisa ka thënë se Qeveria po rrezikon prishjen e marrëveshjes me ENSOE-n.
Në gusht të vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.
Ndërkaq, edhe mbi 17 milionë euro të tjera i kishte ndarë në dhjetor të vitit të kaluar.
Për pagesat nga buxheti i shtetit për rrymën në veri, vazhdojnë të ketë kritika të shumta në vend, pasi që një praktikë e tillë është duke u bërë tash e shumë vite. /Kanal10