Vetëm në muajin tetor 25 të vdekur nga aksidentet në Shqipëri
Pak ditë më parë në afërsi të rrethrrotullimi të “TEG”-ut, ka humbur jetën një 17-vjeçar. Ai ishte duke bërë gara me makinë, ashtu si shumë të rinj të tjerë që testojnë shpejtësinë e makinave të tyre në këtë rrugë.
Të tilla episode e kanë kthyer tetorin e këtij viti në një muaj të zi, pasi si pasojë e aksidenteve janë ndarë nga jeta 25 persona.
Këto janë shifrat zyrtare të regjistruara nga Instituti i Statistikave, ku tregohet se numri i aksidenteve ka rënë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin regjistruar 31 aksidente më pak.
Por fakti i hidhur është që natyra e aksidenteve ka qenë më e rëndë, e për pasojë, tetori i këtij viti krahasuar me tetorin e vitit të kaluar ka regjistruar 9 persona të vdekur më shumë. Pothuajse çdo ditë një person ka humbur jetën.
Ulje të numrit të aksidenteve ka pasur edhe periudha dhjetëmujore e këtij viti, me 13.6 për qind krahasuar me dhjetëmujorin e viti 2018, por edhe pse me ulje, numri i të vdekurve ka qenë më i lartë.
Periudha janar-tetor e këtij viti ka pasur 14 më shumë persona të ndarë nga jeta.
Shkaktarët e aksidenteve, vazhdojnë të jenë drejtuesit e mjeteve në 85.6 për qind të rasteve, ndërsa pjesa tjetër u faturohet këmbësorëve. /TCh/