Vetëm presioni ndërkombëtar detyron Serbinë t’i tregojë varrezat masive

11 maj 2018 | 14:42

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka mirëpritur miratimin në Kuvend të rezolutës, e cila e obligon Qeverinë e Kosovës që këtë çështje ta bëjë pjesë të dialogut Kosovë – Serbi. Ai ka bërë me dije se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm duke u diskutuar në Bruksel ndërmjet zyrtarëve më të lartë të dy shteteve dhe presionit ndërkombëtar që mund të vijë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në këtë proces vetëm një presion i madh ndërkombëtar mund ta detyrojë Serbinë të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. “Ajo që dihet është se politika serbe pa ndonjë presion të madh ndërkombëtar nuk bën hapa përpara në këtë drejtim. Pra, pa ndonjë presion ose favor nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia nuk do të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, ka thënë Gjetaj. Madje, sipas tij, Brukseli me këtë çështje duhet ta kushtëzojë rrugën e Serbisë drejt BE-së. “Vetëm faktori ndërkombëtar mund ta detyrojë Serbinë në këtë drejtim, askush tjetër. Prandaj, ne vazhdimisht kemi kërkuar dhe kërkojmë që faktori ndërkombëtar të bëjë presion apo ta kushtëzojë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Po e përsëris se vetëm në këtë mënyrë Serbia do të tregonte për vendndodhjen e varrezave masive apo individuale”, është shprehur ai.

Gjetaj ka treguar se hapja e arkivave ushtarake dhe policore serbe do ta ndihmonte shumë këtë proces. “Pengesa kryesore ka qenë moshapja e arkivave ushtarake dhe policore nga pala serbe, pastaj mosdhënia e informatave për veprimet që i ka bërë ushtria dhe policia serbe. Pra, për ta ndihmuar këtë proces Serbia duhet të jetë shumë e hapur në këtë drejtim. Sipas informatave tona, Serbia e di për vendndodhjen e varrezave masive dhe për fatin e 1 650 personave që ende konsiderohen të zhdukur. Natyrisht se në këtë drejtim pengesat i ka shkaktuar politika serbe, sepse vetëm me lejen e saj institucionet serbe mund të japin informacione që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, ka thënë Gjetaj.

 

“Epoka e re”: Z. Gjetaj, Kuvendi ka miratuar rezolutën për personat e pagjetur, e cila e obligon Qeverinë e Kosovës që këtë çështje ta bëjë pjesë të dialogut Kosovë – Serbi. Si e keni parë këtë hap të Kuvendit?
Gjetaj: Kjo prej kohësh ka qenë kërkesë e familjarëve të zhdukurve, që ne si komision vazhdimisht e kemi mbështetur. Pra, siç e dini ju, edhe më herët kemi kërkuar që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e bisedimeve politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse kjo çështje nuk është thjesht humanitare, por edhe politike. Vazhdimisht fati i personave të zhdukur ka qenë peng i politikës serbe. Mendoj se ata duhet të jenë më operativë në këtë drejtim, sepse bisedimet e deritashme për këtë çështje që janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nuk mund të ecin më tutje. Nuk ka mundësi të bëhet ndonjë hap më radikal në kuptimin e detyrimit të Serbisë për ta treguar vendndodhjen e varrezave masive apo individuale.

“Epoka e re”: Përfshirja e kësaj çështje në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi, sa mund t’jua kthej shpresat familjarëve për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre?
Gjetaj: Sigurisht se përfshirja e kësaj çështje për diskutim në nivelin politik ndërmjet dy vendeve rrit shpresat për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ky lloj i bisedimeve mendojmë se do t’i heqë pengesat politike që deri më tani i kemi pasur në këtë proces.

“Epoka e re”: Cilat kanë qenë pengesat më të mëdha deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve?
Gjetaj: Pengesa kryesore ka qenë moshapja e arkivave ushtarake dhe policore nga pala serbe, pastaj mosdhënia e informatave për veprimet që i kanë bërë ushtria dhe policia serbe. Pra, për ta ndihmuar këtë proces Serbia duhet të jetë shumë e hapur në këtë drejtim. Sipas informatave tona, Serbia e di për vendndodhjen e varrezave masive dhe për fatin e 1 650 personave që ende konsiderohen të zhdukur. Natyrisht se në këtë drejtim pengesat i ka shkaktuar politika serbe, sepse vetëm me lejen e saj institucionet serbe mund të japin informacione që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Epoka e re”: Kush mund ta detyrojë politikën serbe që ajo pastaj ta ndihmojë këtë proces?
Gjetaj: Ajo që dihet është se politika serbe pa ndonjë presion të madh ndërkombëtar nuk bën hapa përpara në këtë drejtim. Pra, pa ndonjë presion ose favor nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia nuk do të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Vetëm faktori ndërkombëtar mund ta detyrojë Serbinë në këtë drejtim, askush tjetër. Prandaj, vazhdimisht kemi kërkuar dhe kërkojmë që faktori ndërkombëtar të bëjë presion apo ta kushtëzojë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Po e përsëris se vetëm në këtë mënyrë Serbia do të tregonte për vendndodhjen e varrezave masive apo individuale.

“Epoka e re”: Po në këtë procesin e deritashëm të bisedimeve të ndërmjetësuar nga Kryqi i Kuq, cili ka qenë vullneti i palës serbe për të ndihmuar në zbardhjen e kësaj çështje?
Gjetaj: Ne vazhdimisht në këtë proces jemi angazhuar, kemi shkëmbyer ide, informacione, mirëpo krejt kjo është bërë në bazë të një “vullneti të mirë”. Në fakt, nuk ka ekzistuar vullneti i mirë nga pala serbe. Do të thotë, shumë kërkesa tona në këtë proces kanë mbetur pa përgjigje. Sa për ilustrim po ju tregoj se ka pasur raste kur kemi shkuar deri në ndërprerje të bisedimeve për të na u plotësuar një kërkesë e jona. Kjo ka pasur të bëjë për gërmimin në Rudnicë të Rashkës, ku doli se patëm të drejtë, sepse në atë varrezë masive u gjetën mbi 50 persona. Normalisht se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka për mision humanitetin, kurse njerëzit që janë kidnapuar, vrarë dhe masakruar nuk u ka ndodhur ajo për çështje humane. Prandaj, këtë proces e mban peng politika serbe dhe ajo mund ta ndihmojë. Ne e falënderojmë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për angazhimin dhe vullnetin e mirë në këtë drejtim, mirëpo pa presion ndaj Serbisë kjo çështje nuk mund të zgjidhet.

“Epoka e re”: Ju keni pasur dyshime në disa vende të caktuar për varreza masive në Serbi. Tani keni ndonjë informatë apo dyshim për ndonjë lokacion të ri ku mund të ketë varrezë masive?
Gjetaj: Ne i kemi disa vende që me kohë i kemi prezantuar si lokacione të dyshimta, mirëpo pikërisht ato vende nuk janë përfshirë në agjendë për gërmime. Për shembull, te Rudnica është një vend aty, ku ne kemi dyshime, por ky vend nuk është përfshirë në agjendën e gërmimeve. Arsyetimi i tyre ka qenë se nuk kanë informacione të plota për pikën e caktuar. Po ashtu, kemi edhe informacione për lokacione të tjera të dyshimta, por të cilat pala serbe nuk i ka përfshirë në agjendën e gërmimeve. Kështu që, ne po presim që pala serbe të bëjë ndonjë hap konkret në lokacionet që ne kemi dyshime.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 30 kompani kosovare janë trajnuar dhe këshilluar për rritjen…