Vetëm rastësia flet
Nga: Milan Kundera (pjesë të shkëputura nga vepra Lehtësia e padurueshme e qenies)
Përktheu: Saverina Pasho
– Në atë kohë Sabina ishte njëzet vjeç dhe ndiqte studimet në Akademinë e Arteve. Profesori i marksizmit u shpjegonte, asaj dhe shokëve të saj, këtë parim të pakundërshtueshëm të artit socialist: shoqëria sovjetike ishte aq tashmë aq e përparuar, sa konflikti themelor aty nuk ishte më konflikti midis së mirës dhe së keqes, por konflikti midis të mirit dhe të mirit.
– Por, një ngjarje a nuk është përkundrazi edhe më e rëndësishme edhe më me kuptim, kur varet nga një numër i madh rastësish? Vetëm rastësia mund të na duket si kumt. Ajo çka ndodh si domosdoshmëri, ajo çka pritet dhe përsëritet çdo ditë, s’është veçse diçka memece. Vetëm rastësia flet. Atë rrekemi ta lexojmë sikundër arixhinjtë lexojnë në fundin e filxhanit figurat që formon llumi i kafesë.
– Ç’ është marramendja? Frika se mos biesh? Po pse na merren mendtë në një belvedere, të pajisur me një parmak të sigurt? Marramendja është tjetër gjë nga frika se mos biesh. Është zëri i zbrazëtisë poshtë nesh që na tërheq, na josh, dëshira për rënie, nga e cila mbrohemi pastaj me tmerr.
– Në fakt, në atë periudhë më mizoren nga gjithë të tjerat, filmat sovjetikë që mbushnin kinematë e vendeve sovjetike, ishin të mbrujtura me një pafajësi të pabesueshme. Konflikti më i rëndë që mund të shfaqej mes dy rusësh, ishte keqkuptimi dashuror; ai pandehte se ajo nuk e donte më dhe ajo mendonte të njëjtën gjë për të. Më në fund, ata binin në krahët e njëri-tjetrit dhe nga sytë u rridhnin çurg lot lumturie.
– Autodidakti dallohet nga ai që ka bërë shkollë jo nga vëllimi i njohurive, por nga shkalla e ndryshme e energjisë dhe besimit në vetvete.
– Në orët praktike të fizikës, çdo nxënës mund të bëjë eksperimente, për të vërtetuar saktësinë e një hipoteze shkencore. Por, njeriu, ngaqë ka vetëm një jetë, nuk ka asnjë mundësi të vërtetojë një hipotezë përmes një eksperimenti, kështu që ai nuk do ta dijë kurrë nëse ka bërë mirë apo keq që ka dëgjuar zemrën.
– Me sa duket, ekziston në tru një zonë krejt specifike që mund të quhet ‘kujtesa poetike’ dhe që regjistron atë çka na magjeps, na mallëngjen dhe i jep bukuri jetës sonë.
– Metaforat janë një gjë e rrezikshme. Nuk bëhet shaka me metaforat. Edhe nga një metaforë e vetme, mund të lindë dashuria.
– Për Sabinën, të jetosh do të thotë të shohësh. Të parët ngushtohet nga një kufi i dyfishtë; drita e fortë që verbon dhe errësira e plotë. Ndoshta këtej i buron neveria për çdo formë ekstremizmi. Ekstremet shënojnë kufirin, përtej të cilit jeta merr fund dhe pasioni për ekstremizmin, në art si në politikë, është një dëshirë e fshehur për vdekjen.
– Të jesh kirurg, do të thotë të hapësh cipën e gjërave dhe të shohësh çfarë fshihet në brendësi.
– Kirurgjia e çon domosdoshmërinë themelore të profesionit mjekësor deri në kufirin më të skajshëm, ku njerëzorja prek hyjnoren.
– Jo çdo grua është e denjë të quhet grua.