Vetëm ripërcaktimi i kufijve e qet prej lojës projektin e dëmshëm të asociacionit
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se vetëm ripërcaktimi i kufijve do ta kishte larguar nga loja asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Murati përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se ky asociacion është i dëmshëm për Kosovën në të gjitha variantet.
“Nga kurthi i asociacionit dhe defunksionalizimit të shtetit të Kosovës shpëtojmë vetëm përmes ripërcaktimit të kufijve dhe ndryshimeve kushtetuese përmes së cilave Kosova do të funksionalizohej tërësisht si shtet”, ka shkruar Murati
Postimi i plotë i tij:
Vetëm ripërcaktimi i kufijve e qet prej lojës projektin e dëmshëm të asociacionit
Asociacioni në të gjitha variantet (pra edhe ai pa asnjë kompetencë ekzekutive) është i dëmshëm për funksionimin e Kosovës. Por duke qenë se asociacioni prej vitit 2013 është pjesë e kornizës ligjore të Kosovës, është vetëm një rrugë për të dal nga gracka e saj dhe presioni ndërkombëtar që Kosova do t’i nënshtrohet për ta realizuar atë: dalja nga kornizat aktuale të bisedimeve përmes insistimit që zgjidhja e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë të jetë jashtë kornizave të Pakos së Ahtisaarit. Për këtë arsye duhet të futet pjesë e zgjidhjes çështja e Kosovës Lindore. Nga kurthi i asociacionit dhe defunksionalizimit të shtetit të Kosovës shpëtojmë vetëm përmes ripërcaktimit të kufijve dhe ndryshimeve kushtetuese përmes së cilave Kosova do të funksionalizohej tërësisht si shtet. Rrugët e tjera janë të gjitha shumë të dëmshme për Kosovën, qoftë pranimi i asociacionit, qoftë, refuzimi i tij në funksion të vazhdimit të status quo-s. Atëherë me vite të tëra do të kemi duke defiluar qeveri populliste dhe duke na u rrëzuar ato për shkak të dialogut, por zgjidhje nuk do të kemi e as zhvillim jo.