Vetëm ShBA-të mund ta ndalojnë sulmin e Izraelit në Rafah, thotë presidenti palestinez
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tha të dielën se vetëm Shtetet e Bashkuara mund të ndalojnë operacionin e Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Ai theksoi se sulmi – i cili ai pret të ndodhë brenda disa ditësh – mund të detyrojë një pjesë të madhe të popullsisë palestineze të largohet drejt Egjiptit.
Duke folur gjatë një takimi të posaçëm të Forumit Ekonomik Botëror në kryeqytetin saudit të Riadit, Abbas u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara “të kërkojnë nga Izraeli që të mos vazhdojë sulmin në Rafah”.
Ai ravijëzoi se “Amerika është i vetmi vend në gjendje të parandalojë Izraelin të kryejë këtë krim”.
Abass shtoi se, edhe “një goditje e vogël” në qytet do të detyronte palestinezët që strehoheshin atje të iknin.
“Katastrofa më e madhe në historinë e popullit palestinez do të ndodhte”.
Izraeli, i cili ka kërcënuar për javë të tëra se do të nisë një sulm ushtarak në Rafah, duke thënë se qëllimi i tij është të shkatërrojë batalionet e mbetura të Hamasit atje, shtoi sulmet ajrore në qytetin jugor të Gazës javën e kaluar.
Vendet perëndimore, duke përfshirë aleatin më të ngushtë të Izraelit, Shtetet e Bashkuara, i janë lutur atij që të frenojë planet e tij për të pushtuar Rafah, i cili po strehon më shumë se një milion palestinezë që ikën nga sulmi shtatë-mujor i Izraelit në Rrip.