Sivjet kanë humbur jetën në komunikacion 17 persona më shumë se vitin e kaluar
Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka organizuar një tryezë të premten në të cilën së bashku me përfaqësues të institucioneve të sigurisë, kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë në komunikacion me temë “Siguria në rrugë”.
Drejtori i kësaj shoqate, Sami Mazreku, ka prezantuar statistikat e aksidenteve të cilat kanë ndodhur në komunikacion në rrugët e Kosovës.
Ai është shprehur i shqetësuar për humbjen e jetëve të qytetarëve gjatë aksidenteve që janë duke ndodhur nëpër rrugët e vendit tonë.
Mazreku ka bërë thirrje për një angazhim të përbashkët të institucioneve në shpëtimin e jetëve të qytetarëve të vendit.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të komunikacionit në Policinë e Kosovës , Jeton Rexhepi, ka thënë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, në aksidente rrugore gjatë këtij viti kanë humbur jetën 17 persona më shumë.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se vdekjet në aksidente janë shkaktari i dytë i vdekjeve të qytetarëve në nivel vendi.
Ai ka thënë se të aksidentuarve që i bëhet autopsia është i vogël, pasi familjet nuk dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë këtë.