Vetëposhtërimi i një gjykate

20 mars 2025 | 12:36

Prof. dr. Agim R. ZOGAJ

Mënyra, se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, ka dhënë mjaftueshëm argumente për të konstatuar se, krejtësisht, që nga ultimatumet për themelimin e saj, kjo gjykatë, në nismën e saj, ishte dhe është tendencioze, me qëllimet jo për të gjetur drejtësi, por, pikërisht, për ta dëmtuar imazhin, historinë reale të luftës së popullit të Kosovës, nën drejtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, ngritja e Aktakuzës, ndaj krerëve të UÇK-së, e fshihte objektivin e kësaj Gjykate, e cila, përmes bashkëpunimit me shtetin serb, ka për qëllim, që përmes dosjeve të montuara, të falsifikuara serbe, me trillimet e Raportit të Dick Martyt dhe dëshmitarëve të parapërgatitur, t’i vë para “përgjegjësisë” drejtuesit e UÇK-së, ata të cilët, edhe në luftën e Kosovës 1998-1999 ishin simbol i luftës për çlirim të popullit tonë, në ballë të të cilit kishin dalë.
Mbi këtë pikëvështrim duhet parë edhe aktin vetëposhtërues, në thelb, iracional të Gjykatës së Hagës, për të mos e lejuar, ish Presidentin Thaçi, të jetë i pranishëm në ceremoninë mortore të babait të tij, tani më të ndjerit, atdhetarit, guximtarit, të urtit, Haxhi Thaçi. Është jashtë çdo logjike, më elementare, që, kjo gjykatë ta mbajë në paraburgim, ish Presidentin Thaçi, në ditën e varrimit të babait të tij të dashur. T’ia pamundësosh, ashtu, siç bëri Gjykata e Hagës, që, ish Presidentit Thaçi, të mos i lejohet që, në lamtumirën e fundit, varrit të babait të tij t’ia hedhë një grusht dhe Kosove, Drenice është një akt i turpshëm, i mjerë, qyqarë i atyre dhe i atij institucioni i cili ka marrë atë vendim. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë vetëm me shkeljen brutale të drejtave të njeriut, as vetëm me demokracinë e përdhosur të qytetërimit të sotëm evropian, por, në radhë të parë, ka ardhur në shprehje arroganca, antihumanizmi, padrejtësia e qëllimshme e atyre të cilët, kanë marrë një vendim të tillë. Vendimi i Gjykatës së Hagës, është drejtpërdrejt në kundërshtim me rregullat, normat e përshkruara të dinjitetit dhe të drejtësisë humane. Nuk mund të ketë asnjë shpjegim të arsyetuar për një veprim të tillë, përpos, që ishte një vendim hakmarrës, krejtësisht i qëllimshëm, në radhë të parë dhe në veçanti, ndaj ish Presidentit Thaçi, ndaj Kosovës.
Autoritetet e Gjykatës Speciale, e dinë fort mirë rolin historik, çlirimtar të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të çlirimtarëve tjerë, të cilët, padrejtësisht po mbahen në paraburgim. E dinë kontributin e tij atdhetar, për themelimin, shpalljen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, njohjet ndërkombëtare. E dinë, autoritetin e Thaçit, si burrështetas, të cilin, e kishte krijuar në marrëdhëniet diplomatike me fuqitë kryesore evro-perëndimore të kohës. Janë të njoftuar me bashkëpunimin e shkëlqyer të ish Presidentit Hashim Thaçi me personalitetet më të fuqishme të diplomacisë botërore. E dinë kauzën e drejtë të popullit të Kosovës, luftën çlirimtare, mbrojtëse të popullit tonë liridashës. Prandaj, në bashkëpunim me shtetin serb, me aleatët e tij, edhe përbrenda BE-së, konkretisht në Parlamentit Evropian, u mor vendimi për tu themeluar , Gjykata Speciale e Hagës. Ishte ai, komplot serb kundër Kosovës dhe prijësve të saj. Ndër objektivat e kësaj gjykate ishte dhe do të jetë, ndërprerja e aktivitetit atdhetar, diplomatik, pikërisht të ish-presidentit Hashim Thaçi. Ky qëllim është i parealizuar, i pashpresë, sepse, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë edhe me çlirimtarët e tjerë, do të kthehet fitimtar dhe, do ta vazhdojnë jetën politike, aktivitetin kombëtar në të mirë të popullit, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demonstrata e vitit 1981 në Kosovë - disa parulla që…