Veteranët e Ferizajt, të suksesshëm në turneun e Antalisë

22 tetor 2020 | 13:18

KF Ferizaj – Veteranët ishin pjesëmarrës në turneun e dhjetë i cili mbahet dy herë në vit në Side të Antalisë.

Sivjet turneu u zhvillua nga data 14 deri më 18 tetor dhe morën pjesë 28 ekipe nga shumë vende të ndryshme të botës, si Turqia, Rumania, Moldavia, Qipro (Turke) dhe Kosova me tri ekipe (Ferizajn, Prizrenin dhe Lumbardhin).

KF Ferizaj – Veteranët ishte në grupin C së bashku me ekipet turke si Karaman Masterler, Bursa Adalet, dhe Dirbakir.

Në tri ndeshje veteranët e ferizajas shënuan fitore. Në xhiron e parë Ferizaj e mposhti Karamanin (1-3), në xhiron e dytë ferizajasit ishin bindës ndaj Bursës (3-0) dhe në xhiron e tretë Ferizaj arriti fitore edhe ndaj Diarbakire (1-2).

“Klubi ynë ishte në pozitën e parë me pikë maksimale 9 pikë dhe kualifikohej për 1-8 e finales ku u takua me një ekip shumë të fuqishëm Turk Van Masterler. Ferizaj edhe në ketë takim doli fitues pas një ndeshje fantastike me rezultat bindës 3-0. Ky takim u zhvillua në orën 11:00 dhe në temperatura shumë të larta ku lojtarët tanë shpenzuan shumë energji dhe takim i radhës në çerekfinale ishte po atë ditë nga ora 17:00 me një super ekip favorit për ta fituar turneun Denizlli dhe pas një beteje titanike ekipi ynë humbi në kohën shtesë me rezultat 2-1, por paraqitja jonë ishte shumë e mirë”, ka thënë Bujar Asllani, lojtar dhe përfaqësues i ekipit.

“Fitues i turneut të 10-të ‘CUMHURIYET KUPASI’ është ekipi i Irakut. Të gjithë lojtarët tanë i përgëzojmë për paraqitje shumë të mirë dhe të disiplinueshme, por Fitim Sadriu, Arsim Abazi, Fatos Ademi, Agron Istrefi, Përparim Veliu, Betim Qerkini dhe të gjithë të tjerët kanë luajtur me zemër”, ka shtuar Asllani.

 

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu mori…