
Veteranët e Kosovës mposhtin veteranët e Shqipërisë në ndeshjen vëllazërore për festën e 28 nëntorit
Kosova dhe Shqipëria në konkurrencën e veteranëve e kanë festuar 28 nëntorin me një ndeshje vëllazërore në qytetin e Durrësit. Kësisoj, Dita e Flamurit, 109 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe dalja e parë publike e UÇK-së kësaj radhe u nderuan me ndeshjen e veteranëve, në njërën anë Kuqezinjtë, të cilët në epoka të ndryshme dhanë kontributin e tyre për Kombëtaren e Shqipërisë dhe në anën tjetër Dardanët, shumica prej të cilëve veçohen si pjesë e gjeneratës së rezistencës ndaj okupatorit serb.
Të pranishëm në këtë ngjarje madhështore ishin edhe dy presidentët e federatave, Agim Ademi dhe Armand Duka, si dhe një numër i konsiderueshëm i dashamirëve të futbollit dhe emrave të shquar të sportit mbarëkombëtar. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1, derisa në gjuajtjet e penalltive më të saktë u treguan veteranët e futbollit kosovar, të cilët triumfuan 11:10.
Ndeshja dhuroi emocione dhe spektakël në fushën e lojës, derisa momentet festive ishin gjithmonë të pranishme. Shqipëria kaloi në epërsi me golin e Memellit, në minutën e 9-të, derisa shifrat i barazoi Izmaku, në minutën e 50-të. Në fund, presidenti Duka dhe presidenti Ademi ia dorëzuan trofeun ekipit kombëtar të veteranëve të Kosovës, që kësaj radhe mori emrin simbolik “Kupa 28 Nëntori”.
Kombëtarja e Shqipërisë u paraqit me këtë përbërje: Ilir Bozhiqi, Hysen Zmijani, Alpin Gallo, Armend Dallku, Ardian Mema, Ilir Lame, Ilir Alliu, Agustin Kola, Fatbardh Jera, Migen Memelli dhe Roland Iliadhi, derisa gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Luan Pinari, Fjodor Xhafa, Blendi Nallbani, Suad Lici, Bajram Fraholli, , Gilman Lika, Endri Vrapi dhe Elvis Sina.
Ndërsa Kombëtarja e Kosovës u paraqit me këtë përbërje: Naser Prapashtica, Isa Sadriu, Arsim Abazi, Hysni Gjinovci, Sylejman Selimi, Sheremet Isufi, Muhamet Dragusha, Lulëzim Berisha, Synaj Keqi, Muharrem Sahiti dhe Bakir Burri, derisa gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Luan Tabaku, Sami Gashi, Xhavit Mehmeti, Naim Kodraliu, Ilir Izmaku, Fatmir Namani, Sherif Topalli, Jeton Osmani, Tomë Lleshi, Enes Mustafa, Adil Vokrri dhe Bekim Nura.