Veteranët e UÇK-së, ambasadorëve të Quintit: Mos bëni presion për Specialen
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), ka ripërsëritur qëndrimin se janë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Konsiderojmë se kjo gjykatë është e njëanshme, prandaj përmes kësaj komunikate i bëjmë me dije opinionit publik se ne si veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër drejtësisë dhe organeve të saj. Kemi qenë dhe jemi kundër padrejtësive që po na shkaktohen si popull viktimë e luftës së fundit në Kosovë, sepse siç e dini, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë në vazhdimësi që të krijohet gjykatë vendore, e cila do të merrej me gjykimin e të gjitha krimeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë”, është thënë në njoftimin për media të OVLUÇK-së.
Kjo organizatë u ka bërë thirrje ambasadorëve të Quintit që të mos bëjnë presion tek deputetët e Kuvendit, meqë ata janë sovrani i votës së popullit.
“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit dhe kryetari i saj, që ta procedojnë iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, si obligim kushtetues që e kanë”, është thënë në këtë njoftim.