Veteranët e UÇK-së i kundërpërgjigjen deputetëve të pushtetit, protestojnë të enjten
Pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, ku nuk përfshihen veteranët e UÇK-së, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Kjo organizatë ka bërë me dije se të enjten në orën 9:30 do të protestojë para Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale. Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. ‘Deri në kategorimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik’, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”.
“Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30. Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”, ka njoftuar OVLUÇK-ja.