Veteranët e UÇK-së kritikojnë kryeparlamentarin Veseli
Pas deklarimeve të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, se Kosova nuk ka fuqi ta shfuqizojë Gjykatën Speciale, kanë reaguar përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Ata kanë kritikuar kryeparlamentarin për zvarritje të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme, për të cilën janë mbledhur në dhjetor 43 nënshkrime të deputetëve.
Sekretari i organizatës së veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë për “Radio Kosovën” se kryetari i Kuvendit nuk duhet të bëjë shkelje kushtetuese, sepse seanca e jashtëzakonshme parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit.
“Ai sa merret me kolumne, duhet ta thërras sa më parë seancën e jashtëzakonshme dhe të futet në rend dite, ajo që e kemi iniciuar ne me peticion dhe ajo që e kanë nënshkruar deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Klinaku.
Klinaku ka thënë se kjo vonesë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, po ndodhë për shkak të presionit ndërkombëtar. Por, ai ka thënë se kërkesa është e bazuar në rregullore dhe ne Kushtetutë, andaj nuk mund të zvarritet mbajtja e seancës.