Veteranët e UÇK-së presin rritje të pensioneve
Ushtruesi i detyrës i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Faton Klinaku, ka thënë se veteranët e luftës çlirimtare janë duke u ballafaquar me probleme të shumta, sidomos me mungesë të punësimit.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Klinaku ka thënë se institucionet e Kosovës nuk janë duke e përkrahur rehabilitimin e veteranëve të UÇK-së.
“Përveç të tjerash, ashtu si edhe populli në përgjithësi, veteranët janë duke u ballafaquar edhe me mungesë të punësimit për vete dhe familjarët e tyre”, ka deklaruar Klinaku, duke shtuar se veteranët e UÇK-së presin rritje të pensioneve.
“Veteranët e luftës presin që me rritjen e pagës minimale t’u rritet edhe pensioni, sepse kjo është e përcaktuar me ligj”, ka thënë Klinaku. Ndërsa duke komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së, Klinaku ka thënë se nuk ka nevojë të bëhet temë kjo çështje pasi gjykata është duke u marrë me një gjë të tillë.
Ai ka thënë se në takimin e fundit që kanë pasur me kryeministrin Kurti i kanë kërkuar që ta presë përfundimin e procesit gjyqësor për veteranët e UÇK-së.
“Kryeministrit Kurti i kemi thënë që duhet pritur përfundimin e procesit gjyqësor, por edhe nëse vendoset që të krijohet komision tjetër qeveritar, ai duhet t’i thërrasë komandantët e strukturave të UÇK-së për ta bërë këtë rishikim”, është shprehur Klinaku.
Në këtë intervistë Klinaku ka folur edhe për Gjykatën Speciale dhe ish-drejtuesit e UÇK-së që janë duke u ballafaquar me drejtësinë në Hagë. Ai ka thënë se nga themelimi këtë gjykatë e shohin si politike.
“Gjykata Speciale vetëm themelimin e ka në Kuvend të Kosovës, por nuk ka të bëjë fare me Kosovën, dhe ashtu siç e kemi parë në kohën e themelimit të saj, e shohim edhe tani si gjykatë politike e jo të drejtësisë”, ka thënë Klinaku.
Në këtë kontekst, Klinaku ka shprehur kritika edhe ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, duhet të bëjnë më shumë për të gjithë luftëtarët e lirisë të cilët janë në Hagë. “Institucionet, përveç pagesave që ua bëjnë avokatëve mbrojtës të të akuzuarve dhe vizitave të familjarëve të tyre, konsideroj se duhet bërë më shumë. Nuk është ndërhyrje në drejtësi kur ngritet zëri dhe kërkohet vendosmërisht që bashkëluftëtarëve tanë në Hagë të mos u shkelen të drejtat e njeriut që i kanë të garantuara në Kushtetutë”, është shprehur Klinaku.
“Epoka e re”: Z. Klinaku, me çfarë vështirësish janë duke u ballafaquar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)?
Klinaku: Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kaluar një luftë e cila i ka edhe pasojat e veta. Përveç të tjerash, ashtu si edhe populli në përgjithësi, veteranët janë duke u ballafaquar edhe me mungesë të punësimit për vete dhe familjarët e tyre.
“Epoka e re”: A janë duke ju përkrahur institucionet e Kosovës për realizimin e kërkesave që kanë veteranët?
Klinaku: Institucionet e Kosovës janë duke i kryer obligimet ligjore që i kanë ndaj veteranëve siç është pagesa e pensioneve. Në kërkesat e tjera, siç mund të jetë rehabilitimi i tyre, ende nuk po kemi përkrahje.
“Epoka e re”: Para disa ditësh kryeministri Kurti ka përmendur mundësinë e rishikimit të listave të veteranëve të UÇK-së. Si e keni parë këtë deklaratë të kryeministrit?
Klinaku: Ka pasur një komision qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe verifikimi është bërë në zyrat e qeverisë nga komandantët e atëhershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke pasur dyshime në këtë, thirrjet që ne si organizatë e veteranëve i kemi bërë, prokuroria ka filluar hetimin dhe tani lënda është në gjykatë. Nuk ka nevojë të bëhet temë diskutimi kjo çështje përderisa kemi një proces gjyqësor që ende nuk ka përfunduar.
“Epoka e re”: Pas kësaj deklarate ju keni pasur një takim me Kurtin. Çfarë keni biseduar me të?
Klinaku: Edhe në takim kryeministrit Kurti i kemi thënë që duhet pritur përfundimin e procesit gjyqësor, por edhe nëse vendoset që të krijohet komision tjetër qeveritar, ai duhet t’i thërrasë komandantët e strukturave të UÇK-së për ta bërë këtë rishikim.
“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës është duke punuar për rritjen e pagës minimale në Kosovë dhe miratimin e Ligjit për Paga. Cilat janë kërkesat e veteranëve të UÇK-së sa iu përket pensioneve që ata marrin aktualisht?
Klinaku: Veteranët e luftës presin që me rritjen e pagës minimale t’u rritet edhe pensioni, sepse kjo është e përcaktuar me ligj. Me pensionin aktual që e kanë, në këtë kohë të shtrenjtimeve të mëdha, ata nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet minimale për jetesë.
“Epoka e re”: Z. Klinaku, kohën e fundit janë shtuar zërat për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Si jeni duke e parë punën e kësaj gjykate?
Klinaku: Ju e dini që ne si OVLUÇK e kemi kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, duke kërkuar që të themelohet gjykatë vendore, që t’i hetojë të gjitha krimet e luftës. Në Kosovë ka pasur krime dhe masakra që i ka shkaktuar Serbia dhe serbët ndaj shqiptarëve, dhe ato nuk janë hetuar e as nuk po hetohen nga drejtësia ndërkombëtare. Gjykata Speciale vetëm themelimin e ka në Kuvend të Kosovës, por nuk ka të bëjë fare me Kosovën, dhe ashtu siç e kemi parë në kohën e themelimit të saj, e shohim edhe tani si gjykatë politike e jo të drejtësisë.
“Epoka e re”: A janë në nivel të detyrës institucionet e Kosovës për ofrimin e përkrahjes për ish-drejtuesit dhe luftëtarët e UÇK-së të cilët janë në Hagë?
Klinaku: Institucionet, përveç pagesave që ua bëjnë avokatëve mbrojtës të të akuzuarve dhe vizitave të familjarëve të tyre, konsideroj se duhet të bëjnë më shumë. Nuk është ndërhyrje në drejtësi kur ngritet zëri dhe kërkohet vendosmërisht që bashkëluftëtarëve tanë në Hagë të mos u shkelen të drejtat e njeriut që i kanë të garantuara në Kushtetutë.