Veteranët e UÇK-së të pakënaqur me Qeverinë Kurti, kërkojnë takim urgjent me kryeministrin
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) edhe njëherë kanë ritheksuar se procesi gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe ish-krerëve të kësaj organizate është i padrejtë.
Kjo organizatë ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për mbledhjen e Kryesisë, duke treguar se është diskutuar edhe lidhur me kërkesat që i kanë bërë tek Qeveria e Kosovës, por të cilat sipas tyre janë injoruar.
Lidhur me këto kërkesa, OVL-UÇK-së do të kërkojë edhe një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e nëse nuk shqyrtohen kërkesat e tyre, atëherë kanë bërë me dije se do të shqyrtohen masa tjera përmes së cilave do të reagojnë. “Kryesia e OVL-UÇK-së konsideron se procesi gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe OVL-UÇK-së është i padrejtë dhe qëndron prapa qëndrimeve të dhëna vite më parë sa i përket pseudodrejtësisë ndërkombëtare. Sa i përket çështjes së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të luftës, OVL-UÇK-ja ka diskutuar edhe injorimin që po ua bën Qeveria e Kosovës kërkesave të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, qoftë për rritje të pensioneve të këtyre kategorive, qoftë për aktivitete të zyrave, qoftë për rehabilitim në banja, qoftë për shkak të problemeve teknike që kanë këto kategori e nuk mund të pajisen me vërtetime nga zyra për kategoritë e dala nga lufta etj, injorim ky që as nuk po diskutohet, për shkak të mos gatishmërisë së kryeministrit Kurti për t’u takuar. Sa i përket kësaj, u vendos që të kërkohet edhe një takim urgjent me kryeministrin Kurti, e nëse nuk realizohet, do të shqyrtohen masa të tjera të reagimit”, ka njoftuar OVL-UÇK-ja.
Ndërkohë që në takim është diskutuar edhe për aktivitetet që do të mbahen për festën e 28 nëntorit.