Veteranët e UÇK-së vendosin për shtyrjen e protestës, kërkojnë pezullimin e dialogut me Serbinë
Këshilli Drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka vendosur të premten për shtyrjen e protestës së paralajmëruar.
Ky këshill ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta pezullojë dialogun me Serbinë
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se për shkak të situatës me pandeminë, protesta është vendosur të shtyhet.
“Dje kemi pasur mbledhje të Kryesisë ku është propozuar të mbahet një protestë, dhe në mbledhjen e Këshillit Drejtues është diskuar edhe ky propozim. Këshilli Drejtues ka dalë me disa konkluzione, ku protesta do të analizohet dhe na kanë autorizuar që të diskutojmë me institucionet e shëndetësisë, për të gjetur një kohë të përshtatshme për mbajtjen e protestës. Po ashtu kërkuam pezullimin e bisedimeve me Serbinë”, ka thënë Klinaku.