“Veteranët”, fillon gjykimi ndaj Rrustem Berishës, Agim Çekut dhe të tjerëve
Pas konfirmimit të aktakuzës në të dy shkallët gjyqësore, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar gjykimi ndaj Agim Çekut, Rrustem Berishës, Shkumbin Demalijajt dhe të tjerëve, në rastin e njohur si “Veteranët”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, ka kërkuar që emrat e dëshmitarëve të theksohen vetëm me iniciale.
Në këtë seancë, është paraparë që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet S.L, H.G dhe S.B, mirëpo ata nuk janë paraqitur në gjykatore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, ka thënë se S.L dhe H.G kanë pranuar ftesën me rregull, por mungesën e tyre nuk e kane arsyetuar, kurse sipas saj, S.B është ftuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
Të pranishëm në seancë janë dëshmitaret, Rr.R, A.Rr dhe B.Sh.
Mbrojtësi i Agim Çekut, avokatit Ramë Gashi, ka propozuar që në seancën e së mërkurës, të mos dëgjohen dëshmitarët e paraparë, pasi që avokatët mbrojtës nuk e kanë pasur agjendën e dëshmitarëve që do të dëgjohen.
Gashi ka propozuar që seanca të vazhdojë me fjalën hyrëse, kurse dëshmitarët të dëgjohen në seancat që do të mbahen në dy ditët e ardhshme.
Këtë kërkesë të Gashit e ka aprovuar trupi gjykues, ashtu që është vendosur që në këtë seancë vetëm të lexohet aktakuza dhe të jepet fjala hyrëse, kurse dëgjimi i dëshmitarëve do të fillojë në seancën e nesërme.
Me pëlqimin e të akuzuarve dhe avokatëve mbrojtës, aktakuza nuk është lexuar nga prokurori, ndërsa të gjithë të akuzuarit deklaruan se e kanë kuptuar aktakuzën dhe nuk kanë nevojë për sqarime shtesë.
Njëjtë siç kishin vepruar edhe në shqyrtimin fillestar, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Bedri Krasniqi, ka thënë se e parashtrojnë kërkesën pasurore juridike, ashtu siç është precizuar në aktakuzë.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë duke u akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.
Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë, në seancën fillestare të mbajtur më 14 mars, ishin deklaruar të pafajshëm se në cilësinë e anëtarëve të komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, e kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.