Veterani Daniel Ricciardo rikthehet në Formula 1
Piloti 34-vjeçar australian Daniel Ricciardo rikthehet në Formula 1 pas vetëm 6 muajsh pushim. Piloti rezervë i Red Bull Racing do të garojë pjesën e mbetur të sezonit me makinën Alpha Tauri. Ai do të zërë vendin e Nyck de Vries, që debutonte në Formula 1.
Ricciardo të jetë pjesë e Red Bull që nga gara e radhës në Hungari. Skuadra e Alpha Tauri nuk ka mbetur e kënaqur nga paraqitja e De Vries dhe shpeshherë ka deklaruar se priste më shumë prej tij. Ai nuk ka grumbulluar asnjë pikë këtë sezon në 10 garat e para sezonale.
Ricciardo, pasi ka mësuar lajmin, ka thënë se: “Jam entuziast që rikthehem në pistë me familjen Red Bull”.
Skuadra e Alpha Tauri është makina satelit e Red Bull. “Jemi të kënaqur që kemi sërish Daniel në skuadrën tonë. Nuk kemi dyshime për aftësitë e tij. Na njeh thuajse të gjithë ndaj do të integrohet lehtë”, thanë drejtuesit e Alpha Tauri.
Daniel Ricciardo ka arritur tetë fitore në karrierën e tij në Formula 1 dhe ka garuar më herët me këtë ekip, kur quhej Toro Rosso.