Veterani i UÇK-së kërkon shkarkimin Kusari-Lilës, vendos foton e saj dhe të Radoiçiqit në hyrje të Kuvendit
Një veteran i UÇK-së ka kërkuar dorëheqjen e Mimoza Kusari-Lilës nga posti i shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka zgjedhur Ditën e Çlirimit për të protestuar para Kuvendit për këtë çështje dhe për të ia kujtuar deputetes së LV-së bisedën telefonike me kriminelin serb, të cilën e javë më parë e ka publikuar gazeta Nacionale.
Gjatë kohës që Kuvendi po mban seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit, ai në hyrje të Kuvendit ka vendosur poster të Mimoza Kusari-Lilës dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq.
Derisa nuk ka dashur ta tregoi emrin, ai ka thënë se kryeministri Kurti sot duhet të shkarkojë Kusarin-Lilën.
“Në vend se ta festojmë ne sot 25 vjetorin, çlirimin e Prishtinës, Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, neve na ka ngucur edhe na ka ofenduar duke biseduar me këtë kriminelin Milanin. Ky është kriminel dhe ka biseduar me urdhrin e Albin Kurtit, atë e ka shef, dhe me urdhrin e tij ka biseduar se e ka shef. Albin Kurti e ka flamurin kombëtar për bashkim kombëtar me arsye e kam qitë duke e shikuar dhe duhet ta shkarkojë në këtë ditë të çlirimit të Kosovës, ta shkarkojë Mimozën për arsye shumë të njohura se Mimoza ka incizime që ka folur me këtë kriminelin. Kurti e ka shansin historik ta shkarkojë Mimozën”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”.