Veterani i UÇK-së bëhet me shtëpi të re
Veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Hazrolli nga Banja e Malishevës është bërë me shtëpi të re.
Në ceremoninë e përurimit të shtëpisë për familjen e këtij veterani kanë marrë pjesë, kryetar i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryearti i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu dhe veteranë e luftëtarë të UÇK-së nga Banja.
Kryearti i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se e kanë për obligim që të kujdesen për veteranët e UÇK-së.
“Ne si shoqatë e kemi për obligim të kujdesemi për veteranët, duke përfshirë edhe sigurimin e strehimit apo banimit për veteranët brenda mundësive që kemi si shoqatë. E falënderoj edhe Komunën e Malishevës për ndihmën e dhënë për ndërtimin e shtëpisë për këtë familje të veteranit, ndërsa familjes i uroj ta gëzoj shtëpinë e re”, ka thënë Gucati.
Ndërsa kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka falënderuar iniciatorët për ndërtimin e shtëpisë për veteranin Hazrolli.
“Shtëpia për veteranin e luftës së UÇK-së është ndërtuar në bashkëpunim dhe bashkëfinancim në mes të OVL të UÇK-së dhe Komunës së Malishevës. Shtëpia është e ndërtuar sipas standardeve, me hapësirë dhe kushte për banim dhe jetë normale”, ka thënë Begaj.
/Epoka e re/