Vetëvendosja dorëzon tri kërkesa për interpelancë me Hotin

10 tetor 2020 | 19:04

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar tri kërkesa për interpelancë me kryeministrin Avdullah Hoti.

Vetëvendosje ka sqaruar se kërkesa e parë lidhet me zotimin e Avdullah Hotit në Uashington për ta ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë.

“Kjo është e paprecedentë dhe e rrezikshme ngase e përparon interesin e Serbisë për ta minuar sovranitetin e Republikës tonë, duke i dhënë asaj qasje në resurse tona ekonomike e strategjike. As Hoti, po as delegacioni i tij nuk kanë legjitimitetin për ta bërë këtë”, thuhet në njoftimin e LV-së.

Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me zotimin tjetër të tij në Uashington që kushtëzon zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit me ata që janë zhvendosur. “Kjo përveç se është e dëmshme është edhe çnjerëzore”, thuhet në këtë njoftim

Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e Avdullah Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.

“Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika. Në fund të interpelancës Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e një Rezolute që mes tjerash ia ndalon çdo zyrtari publik e shtetëror kompetencën dhe autorizimin për të biseduar për rikthimin e kësaj çështje”, thuhet në njoftimin e LV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Tashmë dihet botërisht, se Udhëheqësi i popullit shqiptar…