VETËVENDOSJA E POPUJVE

02 tetor 2023 | 12:16
Shkruan: Rrustem Mustafa

Kur vlente parimi i real politikës, popujt që nuk paraqitnin ndonjë pengesë, që nuk kishin ndonjë rëndësi ekonomike, gjeopolitike, strategjike, ushtarake si shqiptarët bie fjala, në Kongresin e Berlinit, humbnin rastin që t’i

realizojnë, t’i zgjidhin problemet kryesore, siç është themelimi i shtetit.

Kur ky parim filloi të korrigjohet me atë të vetëvendosjes së popujve që e përuroi presidenti amerikan, Uillson, popujt që nuk kishin sponsorë, si shqiptarët filluan t’i fitojnë të drejtat, paraprakisht të mohuara.

Kauza shqiptare, si me rastin e Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës u vlerësua si e drejtë, ngaqë ishte në përputhje me parimet e politikës ndërkombëtare dhe kurrsesi jo për shkaqe konspirative.

Prandaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me normat ndërkombëtare juridike.

Nuk fituan shqiptarët për shkak se SHBA-të e paskan krijuar kauzën shqiptare, por për shkak se kauza shqiptare, pra ajo e një populli të rrallë ka ekzistuar realisht dhe e mohuar forcërisht nga popuj që kishin ambicie hegjemoniste.

Paqja që vendoset pa drejtësi, pacifikimi pra, është faktori që i stërkeq raportet e brendshme në një shoqëri.

Aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë përkatësisht Jugosllavisë ishte vendim i padrejtë, i imponuar me forcë. Kjo tendencë për zgjerim territorial, për hegjemoni ishte dhe vazhdon të mbetet ide anakronike ngaqë bie ndesh me konceptet moderne të mbrojtjes së të drejtave kolektive, përkatësisht të drejtave të popujve për vetëvendosje.

Rrjedhimisht, mosrespektimi i së drejtës kolektive për liri që njihet me emrin vetëvendosje si me rastin e Kosovës dhe në përgjithësi të shqiptarëve jashtë shtetit amë, do të ndikojë të zhvillohet një lëvizje e fuqishme ilegale për çlirim kombëtar në të gjitha hapësirat e ish Jugosllavisë.

Lëvizja filloi që në çastet e para të depërtimit të forcave jugosllave në Kosovë dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë.

Promotore e kësaj lëvizjeje ishte vetëdija e arrirë e një shtrese të gjerë të popullatës që kishte bindje të paluhatshme se çështja shqiptare është e drejtë dhe në përputhje me tendencën historike.

Pikërisht për këtë shkak mund të konstatohet se lëvizja kombëtare dhe politike e shqiptarëve ishte produkt i vetëdijesimit masiv dhe të vazhdueshëm të një populli të lashtë dhe jo zhvillim i rastësishëm kur një popull fillon të motivohet nga një lider ose elitë karizmatike.

Procesi i fundit i refuzimit të rirobërimit, të pushtimit dhe të nënshtrimit të shqiptarëve filloi me kryengritjen e Shaban Polluzhës dhe përfundoi me epopenë e lavdishme çlirimtare të UÇK-së.

Në raste të këtilla kur vetëdija kombëtare e një populli është e formuar, kur ata janë shumicë brenda një hapësire të veçantë të administrimit, kur në atë territor janë zhvilluar proceset e rëndësishme historike, kur një shtet federativ ka filluar të shpërbëhet, e drejta për vetëvendosje duhet të zbatohet për të gjitha njësitë konstituive.

Çdo shpërfillje e kësaj të drejte, rregullisht shkakton konflikt, luftë që i shter kapacitetet e gjithëmbarshme të popujve të përfshirë në konflikt dhe e destabilizon rajonin. Kështu ndodhi me Kosovën dhe shqiptarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kongresi amerikan ka hequr fondet e reja për Ukrainën në…