Vetëvendosja e shantazhoi me zgjedhje, LDK-ja me kërkesa maksimale të posteve
Njohësi i proceseve politike, Ilir Ibrahimi, ka thënë se dy partitë që dolën fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk e kanë pasur qëllim formimin e koalicionit qysh nga fillimi.
Ai gjithashtu vuri në dyshim efektivitetin e një qeverisje mes dy partive që kanë mosbesim ndaj njëra-tjetrës.
“Nëse i shohim dhe i analizojmë zhvillimet që kemi pasur që nga 6 tetori dhe deri sot po shihet se të dyja partitë, Vetëvendosja dhe LDK-ja, nuk e kanë pasur qëllim formimin e koalicionit i cili do të qeveriste me vendin që u mandata nga vota e 6 tetorit. Këta më shumë janë munduar që të mos bëhet koalicioni sesa të bëhet. Arsyeja mendoj se është që Vetëvendosjen e ka zënë të befasuar fitorja që ia dha votuesi më 6 tetor dhe sfidat që e presin një qeveri të udhëhequr nga Kurti. Po ashtu edhe ai mendimi se nëse do të shkohet në zgjedhje të reja do të fitonte edhe një bazë më të madhe. Ndërsa LDK-ja e ka pasur frikën se si parti e dytë do të mund të dominohej fuqishëm dhe do të ndikonte edhe në tkurrjen e mëtejshme të LDK-së”, ka thënë ai në Zonën e Debatit në Klan kosova.
Ibrahimi ka thënë se nuk iu ka besuar sjelljeve të dy partive derisa ishin në opozitë se do të mund të jenë në qeverisje së bashku.
“Deklaratat e Vetëvendosjes dhe LDK-së për bashkëqeverisje para zgjedhjeve kanë qenë më shumë për marketing politik sesa të qeverisjes bashkë. Nëse do të kishin atë qasjen për të bërë koalicion atëherë do të tejkaloheshin këto sfida që i pamë me negociata politike dhe gjetjen e mundësisë së kompromisit ku palët lëshojnë pe dhe shkohet përpara”.
“Edhe në fushatën zgjedhore kemi parë përplasje, sidomos të Vetëvendosjes ndaj LDK-së. Nuk mund ta marr me mend se si mund të qeveriset me këto dy parti sepse kanë shumë marrëveshje për të bërë gjatë qeverisjes dhe për të dërguar agjenda përpara”.
Ibrahimi ka shtuar se Vetëvendosje dhe LDK-ja në vazhdimësi kanë pasur përplasje qysh në fushatën zgjedhore, ndërsa negociatat janë karakterizuar me shantazhe të dyanshme.
“Ka dyshime të mëdha që mund të ketë qeverisje dhe prapë e them se nuk kanë pasur të bëjnë koalicion në këtë relacion. Por, ata janë munduar t’ia lënë fajin njëri-tjetrin, Vetëvendosja me shantazh për zgjedhje me qëllimin se do ta rrisë bazën, ndërsa LDK-ja shantazhimin e ka bërë duke kërkuar maksimumin. Me këtë qasje nuk mund të arrihet një kompromis”.
Ibrahimi ka pohuar se LDK-ja i frikësohet shkuarjes në zgjedhje dhe këtë frikë po e përdorë Vetëvendosja për ta shantazhuar.
“LDK-ja ka dashur që t’i ketë pozitat e forta që të mos humbë politikisht. Edhe LDK-ja edhe Vetëvendosja çfarë mundësie të madhe kanë pasur më 6 tetor dhe nuk e shfrytëzuan. Askush nuk ia ka marrë mendja që Vetëvendosja të kishte përkrahje edhe nga ambasada, por tre muaj më pas nuk e ka atë frymë sepse është venitur”.
Ibrahimi nuk po e sheh të mundshëm një koalicion mes këtyre dy partive duke thënë se edhe nëse arrihet do të jetë një qeveri joefektive sepse ka mosbesim mes vete.