Vetëvendosja e sigurt: Ishin mbi 5 000 pjesëmarrës në protestë
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sot disa fotografi të test-protestës që ka zhvilluar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Sipas këtij subjekti politik, në këtë protestë ishin mbi pesë mijë pjesëmarrës.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të VV-së:
Sot mbi 5 mijë pjesëmarrës, një pjesë e vogël e qytetarëve që mbështesin ndryshimin, treguan se protesta është e mundshme të organizohet edhe në këtë kohë, duke respektuar masat e rekomanduara nga Institucionet e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Pjesëmarrja masive, e organizuar në formën e një performance, dëshmoi edhe njëherë se vullneti i shumicës së qytetarëve është që kriza politike të zgjidhet pa e shkelur kushtetutën, dhe e vetmja mënyrë për këtë është që të organizohen zgjedhjet sa më parë.
Asnjë zhvillim politik nuk mund të jetë i shëndetshëm nëse shmang mundësinë e protestës qytetare. Në vendin tonë, edhe pse shumë ish-pushtetarë nga e kaluara do ta dëshironin mungesën e saj, prova e sotshme na dha edhe përvojën edhe dijen se mund të organizohemi në numër edhe më të madh nëse është nevoja, gjithmonë duke respektuar masat e Institucioneve të Shëndetësisë.
Nuk na mungon vullneti për ta mbrojtur rendin demokratik. Nuk na mungon vendosmëria për të refuzuar nënshtrimin ndaj regjimit të vjetër. Janë këto provat e fundit për llojin e rendit dhe shoqërisë që e aspirojmë. Duam zgjedhje sa më parë!