Vetëvendosja: LDK-së ia kemi bërë nëntë oferta

30 janar 2020 | 20:47

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se është duke vazhduar angazhimi për formimin e qeverisë së re.

“Pak ditë mbeten deri në përfundimin e afatit, e mandatari për krijimin e qeverisë së re, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti po vazhdon angazhimin për të mundësuar realizimin e premtimit elektoral për ndryshimet e mëdha. Siç ka lajmëruar në videomesazhin e datës 20 janar, Albin Kurti duke mos pasur ende një marrëveshje me partnerin kryesor, LDK-në, ka vazhduar me takimet me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve. Me ta është biseduar për programin e qeverisë së re, dhe sidomos impaktin e saj në përmirësimin e jetës së minoriteteve dhe integrimin e tyre ekonomik e shoqëror në Kosovë”, është theksuar në njoftimin e LV-së.

“Po ashtu, me ta janë diskutuar emrat e mundshëm të ministrave që vijnë nga minoritetet, njëri prej të cilëve duhet të jetë prej serbëve të Kosovës. Sqarojmë opinionin publik se nuk ka patur diskutime për përfshirje të subjekteve të caktuara minoritare në koalicion qeverisës. Këto diskutime nuk mund të bëhen për sa kohë ende nuk ka një koalicion me LDK”, thuhet në njoftimin e LV-së.

LV-ja ka treguar edhe për kërkesën që ia ka dërguar Kuvendit për të thirrur seancë të hënën në orën 11:00.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar se LDK-së deri më tash ia kanë bërë 9 oferta.

“Para se të takoheshin përfaqësuesit e minoriteteve, sot është dërguar kërkesa në Kryesinë e Kuvendit, për të thirrur seancë të hënën në orën 11:00. Ne dëshirojmë që në atë seancë të shkojmë me marrëveshje të arritur. Prandaj i kemi bërë deri më tash 9 oferta, që do të thotë se jemi afruar 9 herë drejt LDK-së. Por për këtë duhet sadopak afrim edhe nga ana e LDK-së”, është theksuar në njoftimin e LV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Albin…