Vetëvendosja me Osmanin do t’i arrijnë 60 % të votave
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, Xhelal Sveçla, ka thënë se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do t’i arrijë mbi 50 % të votave.
Sveçla, i ftuar në ‘dPt te Fidani’ në T7, ka thënë se bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila është zotuar për kandidimin me një listë të re, do t’i arrijnë 60 % të votave.
“Edhe rasti i Podujevës e dëshmoi ngritjen e LV-së. Ne do të duhet të ishim mbi 60 % në nivel qendror, bashkë me Vjosa Osmanin”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka folur edhe për partneritetin në koalicion, teksa ka thënë se LV-ja nuk i zë besë LDK-së.
“LDK-ja pas një kohe të gjatë duhet të kalojë në një proces të reformimit. Momentalisht nuk po udhëhiqet nga një sistem i vlerave, por nga një grup i interesit. Kjo e bën partnere të pabesueshme, prandaj ne nuk kemi shpresa që çfarëdo bashkëpunimi me të do të sillte ndonjë gjë të mirë”, ka shtuar tutje ai.