Vetëvendosja për 8 mars kërkon debat parlamentar mbi dhunën në familje
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LV) nëpërmjet deputetes Fatmire Kollçaku ka dorëzuar të enjten kërkesën për debat lidhur me dhunën në familje dhe përgjigjen institucionale ndaj saj.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që ky debat të mbahet më 8 mars në ditën ndërkombëtare të gruas.
Si rezolutë të këtij debati Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë kërkesa të cilat për një kohë të gjatë organizata dhe aktiviste nga shoqëria civile i kanë adresuar gjatë punës së tyre.
Po ashtu aty janë të adresuara masa konkrete për ta adresuar afatgjatë parandalimin dhe ndëshkimin e kësaj dukurie tepër të rëndë për vajzat dhe gratë.
“Rezolutë. 1. Rishikimi dhe plotësimi i Ligji nr. 03/l-182 për mbrojtje nga dhuna në familje i vitit 2010. 2. Ndryshimi në Kodin penal dhe atë të Procedurës penale për veprën penale të dhunës në familje, si dhe për zyrtarët e Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjyqtarët të cilët vonojnë apo pengojnë mbrojtjen efektive të viktimës. 3. Përfshirja e Strehimoreve në rishikimin e buxhetit 2018 sipas një linjë të veçantë dhe të përhershme buxhetore. 4. Buxhetimi i plotë pas rishikimit të Planit dhe Strategjisë së veprimit kundër dhunës në familje”, është thënë në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.