Vetëvendosja t’i bëjë ofertë politike opozitës për presidentin
Kryetarja e Alternativës Demokratike, ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se barra për zgjedhjen e presidentit të ri bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ajo ka thënë se kjo parti duhet të tregohet kreative në këtë çështje.
Madje, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje duhet t’u bëjë ofertë politike partive opozitare për çështjen e presidentit të ri. Ajo ka thënë se subjektet politike opozitare duhet të jenë konstruktive, por nuk e kanë obligim formimin e institucioneve të reja
“Epoka e re”: Znj. Tahiri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Cili është vlerësimi juaj për këtë rezultat?
Tahiri: E rëndësishme është se këto zgjedhje shkuan mirë si proces zgjedhor, u tregua një civilizim dhe kulturë politike e qytetarëve. Në fund pati disa momente jo të mira për shkak të problemeve në numërimin e votave, të cilat KQZ-ja duhet t’i eliminojë në të ardhmen. Në përgjithësi zgjedhjet treguan një rrotacion politik, një ndryshim të madh ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm. Për mendimin tim, ky rezultat është për shkak të dy faktorëve kryesorë.
Së pari për shkak të pakënaqësisë në rritje për zhvillimet jo të duhura në ekonomi, në punësim dhe në fusha të tjera. Së dyti është një besim te një subjekt politik i cili nuk ka qeverisur më herët, veç të periudhës 50-ditore në vitin e kaluar. Kështu që mendoj se ka qenë edhe një pritje e qytetarëve që të provohet një subjekt politik që nuk ka qenë më herët në qeveri. Tani është koha që të formohen institucionet dhe që agjenda e brendshme dhe e jashtme e Kosovës të shkojë përpara.
“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka siguruar votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Por, ajo që shihet si problematike është zgjedhje e presidentit të ri. Opozita ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente. Si duhet të veprohet tani?
Tahiri: E kam parë që opozita nuk është e gatshme ta ofrojë mbështetjen për një qeveri të koncentruar te një subjekt politik, e cila ka edhe listën e zonjës Osmani. Siç dihet, opozita ka interesat opozitare. Mendoj se i takon partisë në pushtet të jetë kreative, e sinqertë dhe t’u qaset partive opozitare, madje edhe me ndonjë ofertë politike në mënyrë që të krijohet legjitimiteti ligjor i votave, ashtu siç kërkohet, që dy të tretat e deputetëve të marrin pjesë në votimin e presidentit. Nga përvojat e kaluara, gjithmonë ka pasur mospajtime, por në fund janë gjetur formulat. Partia në pushtet e ka obligim ta gjej formulën, ndërsa opozita e ka obligim të jetë konstruktive. Pra, nuk ka obligime për krijimin e qeverisë. Prandaj po them se barra bie te partia në pushtet.
“Epoka e re”: Nëse nuk arrihet një konsensus për zgjedhjen e presidentit, vendimi shumë shpejt mund të shkojë në zgjedhje të reja. Është e dëmshme për Kosovën që të shkohet sërish në zgjedhje të reja?
Tahiri: Shkuarja në zgjedhje të reja tani është e dëmshme për Kosovën ashtu siç ishte e dëmshme që brenda dy vjetësh patëm dy palë zgjedhje. Zgjedhjet janë demokratike, por janë edhe stagnuese, sepse vendi nuk po mund të ecë përpara për shkak të krizave politike. Prandaj nuk duhet lejuar asnjë krizë politike apo institucionale. Përkundrazi, duhet kreativitet dhe vizion sesi të gjendet formula për tejkalimin e situatës.
“Epoka e re”: Pas certifikimit të rezultatit, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar konstituimin e institucioneve të reja dhe vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë. Cila duhet të jetë qasja e qeverisë së re ndaj dialogut me Serbinë?
Tahiri: Çdo qeveri duhet ta ketë parasysh se politika e brendshme dhe ajo e jashtmja janë prioritete strategjike për një shtet. Sidomos kur merret parasysh fakti se Kosova ka nevojë t’i kompletojë njohjet ndërkombëtare dhe të bëhet anëtare e NATO-s, OKB-së dhe BE-së. Prandaj në kuadër të politikës së jashtme dhe dialogut me Serbinë, Kosova duhet të jetë konstruktive. Natyrisht kjo duhet të ndodhë në kuadër të një kornize euroatlantike, pra me ndërmjetësimin amerikano-evropian dhe me bazën se ky proces duhet të rezultojë me njohjen reciproke me kufijtë aktualë në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa në politikat e brendshme prioritetet dihen: zhvillimi ekonomik, sjellja e investimeve të jashtme dhe të diasporës, krijimi i vendeve të reja të punës, sundimi i rendit dhe ligjit etj. Dukuritë e korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë lënë pengë zhvillimin ekonomik dhe kanë mbajtur larg investitorët. Në këtë mënyrë Kosova nuk po ka një perspektivë dhe nëse bisedohet me të rinjtë, ata të gjithë mendjen e kanë se si të largohen nga Kosova. Në Kosovë duhet të krijohen shpresa, perspektiva dhe mirëqenia në mënyrë që rinia ta shohë ardhmërinë në vendin e vet, të cilën e kemi arritur me mund, sakrificë dhe gjak. Tani është një moment historik që Kosova të kthehet në një vend shprese dhe rinia është e ardhmja e shtetit tonë. Kjo arrihet vetëm duke ia siguruar perspektivën rinisë.
“Epoka e re”: Çfarë duhet të ndryshojë qeveria e re në raport me dialogun me Serbinë?
Tahiri: Së fundi ka një lëvizje pozitive në kuptimin e arritjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, sidomos me ardhjen e presidentit të ri amerikan Jeo Biden, i cili është i pari që praktikisht e definoi finalen e dialogut përmes njohjes reciproke mes dy shteteve. Tani kjo lëvizje pozitive duhet të ndiqet edhe nga aktorët evropianë si nga BE-ja dhe shtetet e tjera të fuqishme, Britania, Franca dhe Gjermania, në mënyrë që Serbisë t’i bëhet me dije që nuk ka alternativë tjetër përveç njohjes së Kosovës në kufijtë ekzistues. Në nivelin tjetër, mendoj se ka një lëvizje gjeopolitike amerikane që Ballkani të mbetet perëndimor dhe mos të lejohen lojërat serbo-ruse në këtë rajon. Për këtë Evropa duhet të angazhohet shumë më tepër. Pra, edhe BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nëse e ka ndërmend të bëhet pjesë e BE-së, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës si dhe duhet ta qartësojë pozicionin e saj perëndimor. Nëse Serbia vazhdohet të lejohet të jetë faktor desabilizues në rajon, siç po tregohet në Bosnjë, Kosovë dhe në Mal të Zi, Ballkani nuk mund të stabilizohet. Këtu duhet një vendim gjeopolitik i partnerëve perëndimorë që t’i ndalin proceset ku Rusia dhe Serbia po bëjnë përpjekje ta rrisë ndikimin në Ballkan.
“Epoka e re”: A duhet edhe BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës në këtë proces? Sepse, së fundi, emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në zyrën e tij mban një hartë ku Kosova paraqitet pjesë e Serbisë?
Tahiri: Përmes reagimeve të mia kam bërë të qartë se jo vetëm z. Lajçak, por edhe BE-ja, sidomos sektori i politikës së jashtme, nuk mund të flas për neutralitet ndaj Kosovës, sepse shumica dërrmuese e vendeve të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra, Kosovën e kanë njohur 22 shtete të BE-së dhe vetëm pesë anëtarë të saj nuk e kanë njohur. Këtu nuk kemi të bëjmë me neutralitet ngaqë shumica janë për. Për faktin se shumica janë për, edhe z. Lajçak duhet të udhëhiqet mbi këtë parim të shumicës dërrmuese. Pra, BE-ja jo vetëm duhet t’i heqë hartat provokuese, por edhe duhet ta përmirësojë fjalorin politik në deklarata. Sepse nëse vetëm për shkak të pesë vendeve flitet për neutralitet ndaj Kosovës, kjo po i bie se vetëm pesë vendet po e përfaqësojnë politikën e jashtme të BE-së, ndërsa 22 vendet e tjera ku janë fuqitë kryesore evropiane po anashkalohen. Kjo është çështje e BE-së dhe fuqive të mëdha evropiane. Pra, nuk duhet të lejohet të vijë puna si në kohën e Federica Mogherinit kur u bënë dy Evropa. Evropa e zonjës Mogherini që hapi rrugë për prekje kufijsh dhe Evropa tjetër e fuqive të mëdha që mbylli temën e kufijve. BE-ja nuk duhet të ketë paqartësi në këto gjëra, por duhet të ulet dhe strategjikisht të korrigjojë qasjen si dhe të punojë me këto pesë vende të BE-së që ta njohin Kosovën. Njohja e Kosovës nga këto pesë vende forcon paqen në Ballkan dhe në Evropë.
Muhamet KOCI