Vetëvendosja u bën thirrje edhe partive të tjera të reagojnë ndaj Selmanajt në seancë
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta lejojë mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës nëse aty do të jetë edhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. E të gjitha këto reagime erdhën pas deklaratës së Selmanajt gjatë javës së kaluar për personat e pagjetur.
Deputeti nga LV-ja, Hajrullah Çeku, në një intervistë për Ekonomia Online u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që këtë çështje ta trajtojnë me dinjitet dhe pa e politizuar. Tutje, Çeku ka thënë se deklaratën e zëvendëskryeministrit nuk po e personalizojnë dhe, sipas tij, kjo është çështje e gjithë shoqërisë dhe, si e tillë, duhet të trajtohet. “Unë besoj se deklarata ka qenë mjaftueshëm vetë shpjeguese, ne i kemi bërë thirrje dhe kjo thirrje është bërë përtej ngjyrave partiake dhe politike që i kemi, po flasim për një çështje mjaft të ndjeshme që është dhimbje e gjithë shoqërisë. Unë u kisha bërë thirrje të gjitha palëve që këtë çështje ta trajtojë me dinjitetin që e meriton, pa e politizuar. Lëshimet dhe gabimet mund të ndodhin, por duhet të reflektojmë mbi këto gabime dhe mos të përsëriten. Dhe, e dyta, atëherë kur ndodhin gabime në raport me çështje kaq të ndjeshme të shoqërisë, duhet të tregojmë pjekuri demokratike për të dhënë përgjegjësi. Këtë përgjegjësi e kemi kërkuar nga qeveria dhe nga zëvendëskryeministri. Nuk po personalizojmë dhe nuk është betejë e jona në raport me një individ, me një politikan. Megjithatë, kjo çështje është e gjithë shoqërisë dhe si e këtillë duhet të trajtohet nga të gjithë, edhe nga ne forcat politike, por edhe nga qeveria”, ka thënë ai.
Kur u pyet nëse kjo parti do ta përdorë gazin lotsjellës për të penguar një gjë të tillë, ai ka thënë se nuk kanë nevojë të përdorin metoda për mos ta lejuar Selmanajn në Kuvend. Por që këtë gjë po e bëjnë vetëm që të bëhet thirrje për reflektim për ta kuptuar se çështja e të pagjeturve nuk i takon vetëm një subjekti politik. “Ne nuk kemi nevojë të përdorim metoda, por thirrja jonë është metoda jonë, dhe po besojmë se thirrja jonë është e drejtë dhe po besojmë në fuqinë e thirrjes që e kemi bërë në këtë rast dhe është thirrje për reflektim dhe për të kuptuar se çështja e të pagjeturve nuk i takon vetëm një partie politike, apo një deputeti të caktuar që është sulmuar dhe kjo shkon përtej nesh. Besojmë se kur të flasim për çështje kaq të ndjeshme duhet të lirohemi nga ngarkesat partiake e politike që i kemi dhe secili duhet të reflektojë dhe ta marrë përgjegjësinë që i takon”, tha ai.