Vetëvendosje: Ahmeti nuk i realizojë as 10 për qind të premtimeve
Drejtues të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë mbajtur të mërkurën një konferencë për medie në lidhje për siç kanë thënë ata ‘për dështimin e realizimit të premtimeve të Komunës së Prishtinës me rastin e më shumë se 500 ditë të qeverisjes së Shpend Ahmetit’.
Kryetari i kësaj qendre, Arben Vitia, ka thënë se Shpend Ahmeti nuk i ka realizuar as 10 për qind të premtimeve elektorale. “As 10 për qind e premtimeve nuk janë realizuar, e shumica e tyre as që kanë filluar. Edhe pse shumica e sfidave dhe problemeve që mund të përballet një ekzekutiv në fillimet e veta, ishin kaluar dhe u vendosën bazat për një mandat të dytë cilësor, stili i ri i qeverisjes Ahmeti-AAK-AKR rezultoi përfundimisht i dështuar”, ka thënë Vitia.
Sipas Vitisë, mbi 60 për qind e investimeve kapitale janë të parealizuara.
Ai ka thënë se Ahmeti nuk ka arritur të shpenzojë as shumën e mjeteve të bartura nga viti 2017.
Vitia ka thënë se të hyrat edhe pse nuk do të duhej të ishin për dekor në Komunën e Prishtinës, ato si të tilla mblidhen kryesisht nga gjobat që u vihen qytetarëve. “Për këto 500 ditë ende nuk është realizuar ende ndonjë park edhe pse është themeluar drejtoria e parqeve që i ka shërbyer vetëm ndarjes së pazareve me partnerët e koalicionit. Është prezantuar plani për mbledhjen e pagesave nga komuna dhe hartimi një plani të ri për mbledhjen e mbeturinave në qytet ndërkohë qyteti është gjithandej me mbeturina”, ka thënë ai.
Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka folur për mosrealizmin e projekteve siç është ajo për çerdhet publike dhe reformimi i trafikut urban. “Në mandatin e parë përkundër pengesave nga qeveria arritëm ta dizajnojmë e ta implementojmë për herë të parë modelin e çerdheve me bazë në komunitet. E pilotuam e në fund e replikuam në pesë çerdhe të reja. I bëmë gati për hapje dy çerdhe tjera atë në ‘Kodër të Trimave’ dhe në lagjen ‘Tophane’. Çerdhe këto që kishim planifikuar t’i hapim në fund të vitit 2017, ende nuk janë hapur. U bënë më shumë se 15 muaj që ky kryetar ua mohon çerdhen 250 fëmijëve e 30 punëtorëve mundësinë për të punuar. Ndërsa mbi 200 nëna i mbanë të bllokuara në pamundësi për të siguruar një vend të sigurt për fëmijët e tyre që ato të vazhdojnë punën apo shkollimin”, ka thënë Pacolli.
Kurse sa i përket trafikut urban, ajo ka thënë se pjesë e reformës në këtë sektor nuk ka qenë vetëm blerja e autobusëve, por edhe plani i mobilitetit ku përfshihej zhvillimi i një sistemi të integruar të transportit publik, etj. “E njëjta gjë ka ndodhur edhe me funksionalizimin e ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’. Në anën tjetër kemi edhe shkatërrimin e parkut të vetëm që ka Prishtina-parkun ‘Gërmia’. Kryetari ka premtuar ndalimin e qarkullimit të veturave në parkun e ‘Gërmia’ ndërkaq qarkullimi vazhdon”, ka thënë Pacolli.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/649049115442957/photos/a.649178655430003/836076896740177/?type=3&theater