Vetëvendosje akuzon Thaçin për bllokimin e KQZ-së
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur një konferencë për medie për siç kanë thënë ata të bllokimit një vjeçar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga ana e presidentit Hashim Thaçit.
Sipas tyre presidenti Thaçi ende nuk po mund të pajtohet me faktin se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbështetjen më të madhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017. Ata kanë thënë se përbërja e KQZ-së, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje, duhet të reflektoj rezultatin e zgjedhjeve, ku Vetëvendosje duhet të ketë dy përfaqësues sikurse edhe kolaicioni LDK-AKR-Alternativa dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma.
Deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu se presidenti Thaçi është duke ia pagur shërbimet e PSD-së në raport me koalicionin PAN.
“Një ditë para se të votohej rezoluta për dialogun që tenton ta shuaj vetminë e Hashim Thaçit në ndërmarrjen e tij të rrezikshme për shkëmbimin territorial, nga Zyra e Presidencës iu është dërguar të gjitha grupeve parlamentare kërkesa për dërgimin e emrave në KQZ. Përpjekjet për të përdorur institucionet kushtetuese, siç është KQZ për të paguar shërbimet e PSD-së, AAK-së dhe Nismës ndaj Thaçit, janë të papranueshme dhe paralajmërim i thellimit dhe zgjerimit të kapësve e të kapjes së shtetit”, ka thënë Haxhiu.
Pavarësisht kërkesës së Thaçit për dërgim të një emri, Lëvizja ka dorëzuar dy emra për dekretim në zyrën e presidencës, bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, anëtarin e deritanishëm të KQZ-së, Adnan Rrustemi si dhe Nazlie Balën.
Ndërsa Adnan Rrustemi, ka thënë se më shumë se 40 asamblistë presin më shumë se një vit për ta marrë detyrën.
“Rreth 40 asamblistë presin më shumë së një vit për të marrë detyrën, shumë kuvende komunale janë dëmtuar nga moscertifikimi i këtyre asamblistëve, shumë projekte e aktivitete të KQZ-së janë pamundësuar, shumë iniciativa të mbështetura nga organizata ndërkombëtare që kanë të bëjnë më ngritjen e kapaciteteve vepruese të KQZ-së kanë dështuar, e shumë detyrime tjera ligjore që janë në kompetencë të KQZ-së janë bllokuar, nga bllokimi që i ka bërë presidenti”, ka thënë Rrustemi.
/Epoka e re/