Vetëvendosje akuzon Veselin për bllokimin e raportit të Qeverisë për dialogun
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se edhe pas gjashtë muajsh nga ardhja në Kuvend e Raportit i Qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ky raport nuk është futur në agjendë parlamentare për diskutim.
Për këtë bllokadë, Vetëvendosje e ka fajësuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
“Gjashtë muaj u bënë sot prej kur Raporti i Qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit arriti në kutitë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ishte data 9 korrik 2018 ajo ditë kur raporti qeveritar me 41 faqe mbi 33 marrëveshjet e dialogut me Serbinë përgjatë viteve 2011-2017 iu dorëzua përfaqësuesve të popullit. Mirëpo, plot gjysmë viti më vonë, edhe sot e kësaj dite, ky raport ngelet i bllokuar. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk e fut në agjendë parlamentare dhe nuk e sjell në seancë plenare për shqyrtim siç bëhet zakonisht me raportet e Qeverisë. Kjo është e qëllimshme. Dhe, qëllimi nuk është i mirë. Përkundrazi”, është thënë në reagimin e Vetëvendosjes.
/Epoka e re/