
Vetëvendosje apelon vendimin e PZAP-it në Gjykatën Supreme
Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka njoftuar se ka apeluar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Ky veprim vjen pas refuzimit nga PZAP-it i ankesës së LV-së, e cila kërkonte anulimin e 18 mijë 933 votave të ardhura me postë në favor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
LV-ja kishte pretenduar se këto vota ishin rezultat i manipulimeve dhe kishte kërkuar përsëritjen e procesit të votimit me postë, si dhe largimin e disa kandidatëve të LDK-së nga lista përfundimtare të deputetëve.
Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:
Lëvizja Vetëvendosje! duke qenë e bindur dhe duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces.
Lëvizja Vetëvendosje! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së.
Vetëm përmes pranimit të ankesës sonë mund të rivendoset legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë. Faktet kanë dëshmuar për një vjedhje industriale të votave dhe presim nga Gjykata Supreme që të korrektojë vendimin e padrejtë të PZAP-së e të marrë vendimin e duhur për ta parandaluar një precedent të tillë në të ardhmen.