Vetëvendosje: Dhënia e lejes për Vuçiqin, e rrezikshme dhe jolegjitime
Lëvizja Vetëvendosje e cila drejtohet nga Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë treguar seriozitet sa herë që udhëheqësit serbë kanë paralajmëruar vizita në Kosovë.
Kjo lëvizje ka theksuat se prej dhënies së lejes për presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pushteti në Kosovë po tregon se është i gatshëm të lëshojë pe dhe të bëjë kompromise me Serbinë që i paguan shteti e populli ynë.
“Kjo leje është e paligjshme, është jolegjitime, e dëmshme për të tashmen dhe e rrezikshme për të ardhmen. Vizita e presidentit të Serbisë në Kosovë, qëndrimet dhe veprimet e tij, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe Republikës sonë. Ato janë shkelje e integritetit territorial dhe institucional të vendit tonë. Por, në të njëjtën kohë, janë edhe kurorëzim i ‘Zajednicës’ Thaçi-Vuçiq”.
“Aq shumë e ka relativizuar, deri në kontestim, shtetësinë e vendit tonë presidenti aktual Thaçi, saqë e ka krijuar një terren të jashtëzakonshëm për Serbinë këtu. Andaj, sot Vuçiqi mund ta vizitojë Ujmanin, mund ta kujtojë madje në fjalën e tij edhe Millosheviqin, ta përmendë Serbinë e Madhe dhe të zotohet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Krejt kjo, falë pushtetit që ia hap udhën përmes negociatave pa kushte, pa parime dhe pa mandat. Hashim Thaçi e ka bërë të pranueshëm mospranimin e Kosovës andaj sot bëhen me lehtësi deklarata kundër nesh. Andaj edhe ndodhin protesta në kundërshtim të kësaj vizite. Këto protesta nuk i shkakton vetëm indinjimi ndaj Vuçiqit, por i prodhon edhe pazotësia e institucioneve të Kosovës”, është thënë në reagimin e Vetëvendosjes.
Më tutje, Vetëvendosje, ka theksuar se kësisoj, Hashim Thaçit nuk i duhen prova të reja se duke shpërfillur Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk ka fituar asgjë, pos shfaqjen e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës.
“Kosova ka nevojë për udhëheqës të tjerë, të dinjitetshëm, që ia mbrojnë integritetin dhe ruajnë dinjitetin”, është thënë në këtë reagim.
/Epoka e re/