Vetëvendosje dorëzon kallëzimin penal ndaj qeverisë për rritje të pagave

29 qershor 2018 | 13:54

Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore kallëzimin penal për vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave të kabinetit qeveritar dhe kryeministrit.

Sipas kësaj lëvizje, ky vendim brutal tregon më së miri katandisjen e Qeverisë Haradinaj që teksa bënë çdo ditë skandale njëkohësisht rrjep edhe buxhetin e varfër të vendit për të shtuar luksin qeveritar karshi qytetarëve që varfërohen gjithnjë e më shumë.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky është vendim i padrejtë dhe i paligjshëm.

“Që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur është marrë ky vendim skandaloz ne e kemi kundërshtuar dhe e kemi cilësuar si të paligjshëm sepse konsiderojmë si të jashtëligjshme që Qeveria me anë të një vendimi të tillë t’ia rritë pagën vetës. Mirëpo, këtë vendim e kemi dërguar në disa institucione të Republikës së Kosovës si Gjykata Kushtetuese, që nxori vendim të padrejtë, por edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion, që ka vlerësuar se rritja e pagave përbënë konflikt interesi”, është shprehur Haxhiu.

Po ashtu ajo ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës, përveç Kodit Penal, shkel edhe një numër të madh ligjesh si: ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, ligjin për menaxhimin e financave publike dhe ligjin për buxhetin e vitit 2018.

Për Lëvizjen Vetëvendosje ky vendim mbetët i papranueshëm për faktin se, përpos që shkel ligjin, Qeveria e Kosovës ende nuk  ka bërë asnjë hap në drejtim të zhvillimit të vendit ndërkohë që gjendja sociale është jashtëzakonisht e rëndë.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur të…